mar112022
Parkinsoni. Në disa popullata është më e vështirë të identifikohen simptomat e parakohshme. Ja, cilat janë ato
Në strukturat e kujdesit parësor, në vitet që i paraprijnë diagnostikimit të Parkinsonit, hasen një sërë sëmundjesh shoqëruese dhe simptomash, të cilat ndonjëherë janë të vështira për t'u konstatuar në një popullatë etnikisht të larmishme dhe të pafavorizuar, veçanërisht në grupet që tradicionalisht janë nënpërfaqësuar në studime, sipas një studimi të botuar në JAMA Neurology.
"Karakteristikat e para të sëmundjes së Parkinsonit janë përshkruar përmes studimeve të bazuara në popullatë me një mbipërfaqësim të grupeve të bardha dhe të pasura dhe mund të mos jenë të përgjithësueshme", thotë Cristina Simonet (Universiteti Queen Mary në Londër dhe Spitali Royal Londër), autore kryesore e punimit. "Për këtë arsye, ne vlerësuam lidhjen midis faktorëve të rrezikut dhe paraqitjeve para-diagnostike të sëmundjes së Parkinsonit në një popullatë britanike etnikisht të diversifikuar, me privim të lartë socio-ekonomik, por me akses universal në kujdesin shëndetësor", vazhdon studiuesi. Ekspertët studiuan të dhënat elektronike të 1,016,277 personave të vizituar në klinikat e kujdesit parësor në Lindje të Londrës, nga viti 1990, deri më 6 shkurt 2018. Nga këta njerëz, u përfshinë në studim 1,055 me sëmundjen e Parkinsonit dhe 1,009,523 kontrolle. Autorët zbuluan se simptomat e dridhjes dhe të kujtesës ishin të pranishme më pak se dy vjet përpara diagnostikimit të sëmundjes së Parkinsonit. Lidhje u gjetën gjithashtu deri në 10 vjet para diagnozës së Parkinsonit sa i përket simptomës së didhjes dhe pesë vjet, për simptomat e kujtesës. Ndër faktorët e zakonshëm të rrezikut në moshën e mesme, hipertensioni dhe diabeti i tipit 2 janë lidhur me një diagnozë të mëvonshme të Parkinsonit.
Ekspertët kanë raportuar gjithashtu lidhje me karakteristikat e hershme jo motorike, duke përfshirë hipotensionin, kapsllëkun dhe depresionin. U gjetën edhe lidhje me epilepsinë dhe humbjen e dëgjimit, të cilat më parë nuk ishin kuptuar mirë. Këto rezultate u përsëritën duke përdorur të dhëna nga UK Biobank. Në një editorial të lidhur, Bhavana Patel, nga Kolegji i Mjekësisë i Universitetit të Floridës dhe grupi i saj i punës shkruajnë se këto gjetje mund të sjellin mundësi për kërkime të mëtejshme, duke përfshirë konfirmimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve në grupe të tjera dhe mekanizma identifikimi me anë të të cilave humbja e dëgjimit dhe epilepsia mund të shoqërohet me një rrezik të shtuar për Parkinson.
JAMA Neurology 2022. Doi: 10.1001/jamaneurol.2022.0003
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2022.0003
JAMA Neurology 2022. Doi: 10.1001/jamaneurol.2021.5542
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2021.5542