tet282022
Arteriopatia periferike. Këndvështrimi i pacientëve, i rëndësishëm për trajtimin e tyre
Sipas një dokumenti të Shoqatës Amerikane të Zemrës, të publikuar në Circulation, kriteret kryesore që udhëheqin vendimet terapeutike te pacientët me sëmundje arteriale periferike (PAD) do të ishin simptomat dhe cilësia e vetë-raportuar e jetesës.
"Njerëzit që jetojnë me PAD-në kanë më shumë mundësi të gjykojnë ndikimin e sëmundjes në jetën e tyre të përditshme. Për këtë arsye, trajtimi duhet të bazohet në përvojat e tyre, duke shkuar përtej parametrave, të cilët janë gjithashtu të rëndësishëm, si vlerësimi i qarkullimit të gjakut arterial nëpërmjet eko-Doppler apo angiografisë", thotë koordinatori i studimit Kim Smolderen nga Universiteti Yale në New Haven, Connecticut.
"Njerëzit me ishemi të gjymtyrëve të poshtme mund të përjetojnë dhimbje të përhershme gjatë ecjes dhe dhimbje kronike gjatë pushimit, të mos shërohen nga plagët ose të zhvillojnë gangrenë deri në amputim. Të gjitha manifestimet që kanë ndikim në aktivitetet e përditshme dhe në cilësinë e jetesës rriten me rritjen e simptomave", shkruajnë autorët, duke shpjeguar se sa e rëndësishme është për mjekët që kujdesen për pacientët me PAD ndërgjegjësimi dhe ndikimi i peshës së sëmundjes në cilësinë e jetesës me qëllim përmirësimin dhe individualizimin e kujdesit falë reagimeve të pacientëve.
"Përfshirja e pacientëve në rolin e ekspertëve për kushtet e tyre kërkon vëmendje më të madhe ndaj problemeve që lidhen me cilësinë e jetesës ose faktorët e rrezikut kardiovaskular", vazhdon Smolderen. Të rëndesishme janë të gjitha gjërat që mund t'i ndihmojnë mjekët t'i japin më shumë hapësirë bisedave me pacientët e tyre, duke i drejtuar ata drejt burimeve të tjera ndryshe nga trajtimet e zakonshme mjekësore ose kirurgjikale, si shërbimet shëndetësore të sjelljes, kujdesi ndaj plagëve ose lënia e duhanit.
Prandaj, masat e rezultateve të raportuara nga pacienti (PROM) të përshkruara në dokument, d.m.th. algoritmet sistematike dhe të vërtetuara për t'u kërkuar pacientëve të vlerësojnë se si sëmundja ndikon në simptomat, shëndetin fizik, social, atë emocional dhe cilësinë e jetesës. "Reagimet përmes PROM-it mundësojnë një vlerësim më të besueshëm dhe objektiv të cilësisë së kujdesit të ofruar për personat me PAD", përfundojnë ekspertët.
Circulation 2022. Doi: 10.1161/CIR.0000000000001105
https://doi.org/10.1161/CIR.0000000000001105