Focus

shk32023

Cilët janë viruset që lidhen me neurodegjenerimin

Ekzistojnë disa infeksione virale të cilët kanë një efekt negativ në tru dhe rrisin mundësitë për zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative, sipas një studimi të publikuar në "Neuron".

"Hulumtimet e fundit kanë zbuluar se virusi Epstein-Barr rrit rrezikun për sklerozën e shumëfishtë dhe kohët e fundit shqetësimet në lidhje me ndikimin që ka pasur pandemia Covid-19 në sistemin nervor janë shtuar", tha Kristin Levine nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Bethesda, SHBA, autorja kryesore e studimit.

Për të eksploruar mbi këto tema, studiuesit kanë analizuar lidhjet e mundshme midis ekspozimeve virale dhe rrezikut për sëmundje neurodegjenerative duke përdorur të dhënat e serive kohore të FinnGen në mënyrë që të mund të zbulonin nëse ekziston një lidhje ndërmjet tyre.

Ekspertët identifikuan 45 ekspozime virale të lidhura dukshëm me një rrezik të lartë për sëmundje neurodegjenerative dhe përsëritën 22 prej këtyre lidhjeve. Analiza e të dhënave tregoi se një lidhje më e madhe e efekteve u vu re te ekspozimi ndaj encefalitit viral dhe Alzheimerit, ndërsa gripi i shoqëruar me pneumoni lidhej ndjeshëm me pesë nga gjashtë sëmundjet neurodegjenerative të konsideruara.

Autorët gjetën gjithashtu një lidhje midis herpesit simplex dhe Alzheimerit, papilomavirusit human (HPV) dhe demencës, hepatitit dhe Alzheimerit, virusit Epstein-Barr dhe sklerozës së shumëfishtë, dhe virusit Epstein-Barr dhe demencës.

Në fund të studimit ata vunë re se 81% e viruseve sulmojnë sistemin nervor qendror përmes nervave periferike ose përmes gjakut, duke rritur rrezikun për inflamacion në tru. Disa nga ekspozimet e studiuara u shoqëruan me një rrezik në rritje për neurodegjenerim deri në 15 vjet pas infeksionit.

"Duke pasur parasysh disponueshmërinë e vaksinave për disa nga viruset që lidhen me neurodegjenerimin, vaksinimi mund të jetë një mënyrë për të pakësuar pjesërisht rreziqet për sëmundje neurodegjenerative", përfundojnë studiuesit.

 

Neuron 2023. Doi: 10.1016/j.neuron.2022.12.029
https://doi.org/10.1016/j.neuron.2022.12.029


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>