mar272019
Antikolinergjikët. Mund të jenë efikasë në afazinë akute, të ngjashme me Alzheimerin
Sipas një studimi të ri të publikuar në "Neurology", një terapi e përdorur shpesh për të trajtuar sëmundjen e Alzheimerit, mund të ketë efekt edhe te pacientët me afazi primare progresive (PPA), një lloj demence që prek gjuhën e folur dhe që aktualisht, nuk ka trajtim të njohur.
"Të sëmurët me Alzheimer menaxhohen me inhibitorë të kolinesterazës, që reduktojnë simptomat e Alzheimerit, duke ruajtur acetilkolinën. Për herë të parë, kemi zbuluar që individët me PPA të një lloji të veçantë, që tregon pllaka dhe lëmshe si ai i Alzheimerit në tru, pësojnë të njëjtën humbje të neuroneve kolinergjike dhe aksoneve në proencefal, si edhe individët me Alzheimer, prandaj mund të kenë përfitime nga këto barna", konfirmon Changiz Geula (Shkolla e Mjekësisë Feinberg, Universiteti Veriperëndimor), që ka drejtuar grupin e punës.
Për të kryer studimin, kërkuesit kanë analizuar trurin e individëve post-mortem që kanë vuajtur nga PPA-ja në jetë dhe kanë diagnostikuar te disa prej tyre një patologji të ngjashme kolinergjike të trurit. Në ndryshim nga Alzheimeri, ku regjionet cerebrale që kontrollojnë kujtesën sulmohen të parat, në PPA, regjionet e para që preken janë ato që janë përgjegjëse për gjuhën e folur, të cilat, në pjesën më të madhe të popullsisë, janë të vendosura në hemisferën e majtë. Pacientët me PPA vazhdojnë në mënyrë progresive të humbin aftësinë për të folur, për të lexuar, për të shkruar apo për të kuptuar atë që ndiejnë.
"PPA-ja është një formë e demencës shkatërruese, në të cilën, pacientët janë kryesisht të shëndetshëm përveç problemeve me gjuhën e folur dhe vuajnë nga kjo situatë në mënyrë akute", konfirmojnë kërkuesit. Pavarësisht ngjashmërisë me patologjinë e Alzheimerit, këta pacientë priren të përjashtohen nga studimet klinike që lidhen me vetë Alzheimerin dhe kanë pak mundësi që të marrin inhibitorë të kolinesterazës. "PET lejon që të përcaktohet nëse ekziston një patologji e ngjashme me Alzheimerin në tru in vivo dhe kjo do të bënte të mundur që të shihej nëse një person vuan nga ai lloj i PPA-së që lidhet me sëmundjen e Alzheimerit, në mënyrë që, për pasojë, të ndërhyhet", përmbyllin kërkuesit.
Neurology. 2019. doi: 10.1212/WNL.0000000000007247
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30842294