kor252016
Infeksioni persistent nga HPV shton riskun për tumore anale dhe gjenitale
Gratë me histori neoplazie intraepiteliale cervikale CIN të shkallës 3 (një konditë pre-kanceroze e qafës së mitrës e shkaktuar nga infeksioni Human Papilloma Virus - HPV) kanë një rritje afatgjatë të riskut për kancer anal, vulvar dhe vaginal. Tezën e mbështet Susanne Krüger Kjær, epidemiologe në 'Copenhagen University Hospital' në Danimarkë: "Kërkime të mëparshme tregojnë se disa lloje HPV-sh shkaktojnë neoplazi intraepiteliale cervikale nga 1 në 3, ku me CIN3 kuptohet një stad prekanceroz i shkallës së lartë, me më shumë mundësi për të zhvilluar një tumor të qafës së mitrës".
Krüger Kjær shpjegon se qëllimi i studimit të drejtuar nga ajo dhe të publikuar në "Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention" mbështetej në verifikimin e hipotezës nëse CIN3 përveç tumorit të qafës së mitrës, ishte i lidhur edhe me një rritje të riskut për neoplazi anale, vulvare dhe vaginale. Në studim u përfshinë 2.8 milionë gra banuese në Danimarkë mes 1978 dhe 2012, prej të cilave 104.000 kishin një CIN3 dhe rreth 52.000 një CIN2.
"Në krahasim me gratë pa histori sëmundjeje, te gratë me CIN3 autorët vlerësuan një risk për kancer anal, vulvar dhe vaginal të shtuar respektivisht me 4.2, 4 dhe 17 herë. Ndërsa te gratë me CIN2, risku ishte më i ulët por gjithmonë i pranishëm", pohon epidemiologia, duke saktësuar se në këtë rast mundësitë për të zhvilluar një neoplazi anale, vulvare dhe vaginale ishin shtuar respektivisht me 2.9, 2.5 dhe 8.1 herë në krahasim me gratë pa histori sëmundjeje.
Ndërsa, asnjë rritje e riskut nuk rezultoi për kancerin e zorrës së trashë. "Lidhja mes HPV dhe kancerit cervikal është shumë e njohur, por rezultatet e këtij studimi i futin tumoret ano-gjenitale në listën e pasojave të mundshme afatgjata të infeksionit nga Human Papilloma Virus, duke shtuar motive të tjera në mbështetje të efektit mbrojtës të vaksinimit anti-HPV", thotë në fund studiuesja duke shtuar se risku për kancer anal, vulvar apo vaginal edhe pse është më i lartë në vitin e parë pas diagnostikimit të CIN3, mbetet i tillë edhe në vitet në vazhdim.
Cancer Epidemiol Biomarkers Prev 2016. doi: 10.1158/1055-9965.EPI-15-1291https://dx.doi.org/10.1158/1055-9965.EPI-15-1291