jan212019
Hepatiti B në shtatzëni. SHBA-ja nxjerr udhëzime të reja për skrinimin e hershëm
USPSTF-ja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka publikuar në faqen e saj institucionale një draft udhëzues në lidhje me skrinimin e grave shtatzëna për infeksion të virusit të hepatitit B, që në vizitën e parë prenatale, me qëllim parandalimin e infektimit të fëmijës.
"Numri i shtatzënave që mbartin virusin e hepatitit B (HBV) është shtuar me më shumë se 5% në vit, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, pavarësisht se aktualisht kemi në dispozicion një mënyrë efikase për diagnostikimin e infeksionit paraprakisht, duke parandaluar kështu, kalimin nga nëna te fëmija", thotë Melissa Simon, bashkautore e dokumentit dhe docente e gjinekologjisë klinike pranë Shkollës së Mjekësisë Feinberg (Universiteti Veriperëndimor), duke nënvizuar se të gjithë mjekët që ndjekin gratë shtatzëna, duhet të rinisin të propozojnë skrinimin për HBV, që në vizitën e parë prenatale.
Komiteti i ekspertëve në USPSTF ka shqyrtuar të dhënat e një kampioni përfaqësues në nivel kombëtar, që tregonte një mbizotërim të infeksionit matern nga HBV-ja, me 85,8 raste për çdo 100.000 lindje, në periudhën 1998-2011 dhe në 0,09% të lindjeve të kryera në shtëpi.
"Ata që janë infektuar me HBV gjatë fëmijërisë, kanë më shumë mundësi të përballen me një infeksion kronik dhe me shtim të morbilitetit afatgjatë, përveçse të rrezikut për cirrozë dhe kancer të mëlçisë", shpjegojnë autorët e dokumentit udhëzues, duke rikonfirmuar se nga analiza e të dhënave në dispozicion, dalin prova bindëse për faktin që skrinimi prenatal universal redukton në mënyrë të dukshme transmetimin perinatal të HBV-së.
"Me diagnostikimin e hershëm të grave shtatzëna, mund të mbrojmë gjithë jetën e fëmijës nga sëmundjet kronike të mëlçisë dhe mund t'i ndihmojmë nënat të marrin trajtimet e duhura gjatë shtatzënisë", shton Simoni, për të përfunduar: "Shpresojmë që dokumenti ynë të rikonfirmojë rëndësinë e skrinimit të HBV-së, në mënyrë që pediatrët, më në fund, të shohin një reduktim të numrit të fëmijëve të prekur nga pasojat afatgjata të infeksionit".
Deklarata e Rekomandimit nga USPSTF
https://www.uspreventiveservicestaskforce.org/Page/Document/draft-recommendation-statement/hepatitis-b-virus-infection-in-pregnant-women-screening