Gjinekologji

mar212019

Rreziku kardiovaskular femëror. Roli i dietave yo-yo

Humbja dhe rifitimi i vazhdueshëm i peshës mund ta bëjë më të vështirë për gratë kontrollin e faktorëve të ndryshëm të rrezikut për sëmundjet kardiake, sipas një studimi paraprak të prezantuar në kongresin e Shoqatës Amerikane të Zemrës.

"Arritja e një peshe të shëndetshme, përgjithësisht, rekomandohet si diçka e shëndetshme për zemrën, por ruajtja e kësaj humbjeje në peshë është e vështirë dhe, pesha e luhatshme mund ta bëjë më të vështirë ruajtjen e shëndetit ideal kardiovaskular", shpjegon Brooke Aggarwal (Universiteti i Kolumbias, Nju Jork), autore kryesore e studimit.

Kërkuesit kanë vlerësuar 485 gra në mbipeshë, me moshë mesatare 37 vjeçe, që kanë marrë pjesë në rrjetin e kërkimit "Go Red for Women", të Shoqatës Amerikane të Zemrës, pranë Universitetit të Kolumbias, në Nju Jork. Gratë kanë deklaruar se sa herë, përveç shtatzënive, kishin humbur peshë të paktën 10 kilogramë, për ta rifituar atë brenda një viti. Këto gra janë vlerësuar sipas kritereve të Shoqatës Amerikane të Zemrës: Life's Simple 7, që mat mënyrën se si njerëzit kontrollojnë faktorë të rëndësishëm të rrezikut të sëmundjes kardiake. Pjesa më e madhe e grave (73%) ka deklaruar të paktën një episod të humbjes në peshë dhe të rifitimit të saj, një normë që ka shkuar nga zero, në 20 episode.

Kështu, analiza e të dhënave ka treguar se gratë me një apo më shumë episode të humbjes në peshë dhe rifitimit të saj, kanë patur 82% më pak mundësi që të kenë indeks optimal të masës trupore dhe, përsa u përket rezultateve të Life's Simple 7, 51% më pak mundësi për të rezultuar "të kontrolluara në mënyrë të moderuar" dhe 65% më pak mundësi që të rezultonin "të kontrolluara në mënyrë optimale". Sa më i madh ka qenë numri i episodeve të lëvizjes në peshë, aq më të vogla kanë qenë rezultatet në Life's Simple 7 dhe ndikimi ka qenë më i dukshëm te gratë që nuk kishin patur kurrë një shtatzëni, ndoshta sepse ishin më të reja. Ende nuk dihet nëse rezultatet mund të shtrihen edhe te burrat.

"Nuk jemi akoma në gjendje të përcaktojmë nëse ky "efekt fizarmonikë" ka luajtur një rol në rezultatet e Life's Simple 7 apo përkundrazi, ata që nuk u përmbahen këtyre udhëzimeve kanë më shumë vështirësi të ruajnë një peshë të ulët dhe janë kështu të detyruar më shpesh të ndjekin dietë", përfundojnë autorët.

 

AHA Lifestyle and Cardiometabolic Health Scientific Sessions 2019

https://professional.heart.org/professional/EducationMeetings/MeetingsLiveCME/EPILifestyle/UCM_316976_Programming-EPI-Lifestyle.jsp


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>