Gjinekologji

pri42019

Paracetamoli në shtatzëni nuk është shkak i drejtpërdrejtë i astmës te fëmijët

Një studim i kryer në pothuajse 500.000 gra, ka treguar se përdorimi i paracetamolit ose barnave të tjera kundër dhimbjes gjatë shtatzënisë, nuk është përgjegjës për shtimin e riskut të astmës te fëmijët.

"Kërkimi ynë mbështet rezultatet e studimeve që pohojnë se gratë që përdorin paracetamol gjatë shtatzënisë kanë më shumë mundësi për të lindur fëmijë me astmë. Megjithatë, sugjeron edhe që barnat kundër dhimbjes nuk janë shkaku i kësaj rritjeje në incidencën e sëmundjes", shpjegon Seif Shaheen (Universiteti Queen Mary në Londër, Mbretëri e Bashkuar), autor kryesor i studimit të publikuar në "European Respiratory Journal".

Kërkuesit anglezë, në bashkëpunim me Institutin Karolinka në Stokholm, kanë studiuar të dhënat e 492.999 nënave dhe fëmijëve të tyre nga regjistrat suedezë, duke ekzaminuar përshkrimet për lloje të ndryshme të barnave kundër dhimbjes gjatë shtatzënisë dhe duke i krahasuar me normat e diagnozës së astmës te fëmijët. Ata kanë vlerësuar edhe të dhëna të tjera nga nënat, baballarët, si edhe nga motrat dhe vëllezërit.
Analiza e të dhënave ka treguar se fëmijët e lindur nga gra që kishin marrë paracetamol gjatë shtatzënisë, kanë patur një shtim të astmës, por risku ka rezultuar i njëjtë kur gratë kanë marrë receta për opioide, si kodeina dhe tramadoli, ose barna për migrenën. Për shembull, shtimi i riskut të astmës për 5 vjet ka qenë 50% me paracetamolin, 42% me kodeinën dhe 48% me barnat për migrenën. Këto lloje të ndryshme të barnave kundër dhimbjes kanë mekanizma veprimi të ndryshëm dhe fakti që shkaktojnë rritje mjaft të ngjashme të normave të astmës së fëmijëve, bën që të mendohet se nuk janë ato përgjegjëse të drejtpërdrejta për sëmundjen.

Në sytë e ekspertëve duket më e mundshme që problemi të vijë nga një faktor tjetër i pamatur që lidhet me këto barna dhe me riskun e astmës, siç është për shembull, dhimbja kronike. Në fakt, dhimbja e rëndë dhe stresi që shkakton kanë efekte të thella në trup, edhe në nivelet e disa hormoneve dhe ka prova se ekziston një lidhje ndërmjet niveleve të tjera të stresit të nënave në shtatzëni dhe shtim të riskut të astmës te pasardhësit. "Nëse është kështu, atëherë është e rëndësishme të menaxhohet dhimbja kronike gjatë shtatzënisë dhe të mos shmanget receta e barnave kundër dhimbjes, nëse janë të nevojshme. Gjithashtu, gratë duhet të ndihen të sigurta se mund ta përdorin paracetamolin në mënyrë rastësore gjatë shtatzënisë", përfundojnë autorët.


Eur Resp Journal 2019. Doi: 10.1183/13993003.01090-2018
https://erj.ersjournals.com/content/early/2019/01/30/13993003.01090-2018


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>