Gjinekologji

jan172020

Antimykotikët oralë në shtatzëni shtojnë rrezikun për defekte te fëmijët

Përdorimi i flukonazolit oral apo i itrakonazolit gjatë shtatzënisë, mund të shtojë rrezikun për disa defekte në lindje, të paktën sipas përfundimeve të një rishikimi sistematik me metanalizë relative, të publikuar në "International Journal of Gynecology and Obstetrics".

"Azolet topike (klotrimazol, mikonazol dhe të tjerët), rekomandohen përgjithësisht për trajtimin e kandidozës vulvovaginale gjatë shtatzënisë, ndërsa siguria e agjentëve antifungalë oralë gjatë periudhës gjestacionale mbetet e diskutueshme", shkruajnë Lingli Zhang dhe kolegët e tij në Universitetin e Sichuanit dhe në Spitalin e dytë Universitar të Universitetit Perëndimor në Chengdu, Kinë, që kanë vlerësuar sigurinë fetale të antifungalëve oralë, në bazë të studimeve të reja vëzhguese, në të cilat kanë marrë pjesë më shumë se 14.000 gra shtatzëna, që kanë përdorur flukonazol dhe 1.311 që kanë përdorur itrakonazol.

"Në përgjithësi, nuk shfaqen dallime domethënëse në rrezikun e defekteve të lindjes, aborteve spontane apo foshnjave të lindura të vdekura midis grave shtatzëna të ekspozuara ose të paekspozuara ndaj flukonazolit ose itrakonazolit", komentojnë studiuesit. "Sidoqoftë, me ekspozimin ndaj flukonazolit kemi vërejtur një frekuencë konsiderueshëm më të lartë të defekteve kongjenitale të zemrës (1.52% përkundrejt 0.77% në popullatën e përgjithshme) dhe defekteve të gjymtyrëve (0.62% kundrejt 0.56%)", vë në dukje Zhangu, duke shtuar se ekspozimi ndaj itrakonazolit shoqërohet me një frekuencë të rritur ndjeshëm të defekteve të syrit (0,56% në krahasim me 0,04% në popullatën e përgjithshme).

"Studimet e deritanishme sugjerojnë se administrimi i agjentëve antifungalë oralë në fillim të shtatzënisë mund të mos shoqërohet me një rrezik të shtuar për defekte të lindjes, aborte ose fetus të lindur të vdekur", përfundojnë studiuesit. "Sidoqoftë, rreziku i defekteve kongjenitale të zemrës dhe defekteve të gjymtyrëve në popullatën e ekspozuar ndaj flukonazolit dhe defekteve të syrit te popullata e ekspozuar ndaj itrakonazolit, duhet të studiohet ende me kujdes dhe duhet treguar kujdes në përshkrimin në rrugë orale të këtyre barnave gjatë shtatzënisë", përfundojnë autorët.

 

Int J Gynec Obst 2019. Doi: 10.1002/ijgo.12993
https://doi.org/10.1002/ijgo.12993


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>