Gjinekologji

qer12020

Sars-CoV-2 rrezikon për abort, nëse infekton placentën

Një letër hulumtuese në "JAMA" përshkruan një rast të infeksionit të dukshëm të placentës nga SARS CoV-2 që mund të ketë shkaktuar një abort spontan në shtatzëninë e parë të një vajze obeze 28-vjeçare në javën e 19-të, e cila u paraqit në urgjencë me ethe, mialgji, diarre dhe kollë të thatë prej dy ditësh.

Tamponi nazofaringeal për SARS-CoV-2 rezultoi pozitiv dhe pacientja u trajtua me paracetamol oral. Pas kësaj, ajo u dërgua në shtëpi, por u kthye dy ditë më vonë me kontraktime të forta të mitrës dhe ethe. Ekografia tregoi lëvizje aktive të fetusit, takikardi fetale (180/min), morfologji normale të fetusit me tamponë negative të lëngut amniotik dhe vaginalë. Pas dhimbjeve që zgjatën 10 orë, fetusi lindi i vdekur. Tamponët e marrë nga sqetullat, goja, mekoniumi dhe gjaku fetal, të mbledhura disa minuta pas lindjes, rezultuan negativë për SARS-CoV-2 dhe për mikrobe patogjene.

Përkundrazi, tamponët e biopsitë placentale ishin negative për bakteret, por pozitive për SARS-CoV-2 edhe pas 24 orësh. Pas 48 orësh, gjaku i nënës, urina dhe tamponi vaginal ishin negativë për SARS-CoV-2, megjithëse një tampon nazofaringeal mbeti pozitiv. Autopsia e fetusit nuk tregoi keqformime dhe biopsitë e mushkërive e të mëlçisë fetale ishin negative për SARS-CoV-2. "Në epidemitë e mëparshme të SARS-it dhe MERS-it, të dy coronaviruset kishin shkaktuar deri në 40% të ngadalësimit të rritjes intrauterine dhe ne prisnim ndryshime në placentë për shkak të gjendjes së nënës, por jo të shkaktuara nga vetë virusi", thotë autori kryesor, David Baud (Spitali Universitar i Lozanës në Zvicër), duke shtuar se nevojiten hetime të mëtejshme për të kuptuar nëse SARS-CoV-2 e kapërcen barrierën placentale. Në këtë rast, nuk është për t'u habitur që virusi nuk haset te fetusi, pasi virusi lëshohet në lëngun amniotik vetëm kur veshkat e fetusit prodhojnë urinë dhe kur ka kaluar kohë e mjaftueshme që virusi të thyejë barrierën placentale, pra, 6-8 javë pas infeksionit.

"Derisa gjërat të qartësohen, gratë shtatzëna duhet të shmangin çdo kontakt me të infektuarit, t'i lajnë duart shpesh dhe të dalin nga shtëpia vetëm nëse është e nevojshme. Mjekët duhet të dinë që gratë shtatzëna duhet të testohen për coronavirus në rast simptomash ose kontakti me njerëz të infektuar. Më në fund, nëse një grua shtatzënë është pozitive, rritja e fetusit duhet të kontrollohet rregullisht me ekografi të paktën një ose dy herë në tremujorin e tretë", përfundon Baudi.


JAMA 2020. doi: 10.1001/jama.2020.7233
https://doi.org/10.1001/jama.2020.7233

BJOG. 2020. Doi: 10.1111/1471-0528.16278
https://doi.org/10.1111/1471-0528.16278


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>