Gjinekologji

kor292021

Alzheimeri. Lidhja midis shënjuesve dhe ekspozimit ndaj estrogjeneve endogjene

Sipas një studimi të botuar në "Menopause", ekziston një lidhje midis jetëgjatësisë riprodhuese si një shënjues zëvendësues i ekspozimit ndaj estrogjeneve endogjene dhe bioshënjuesve të sëmundjes së Alzheimerit në lëngun cerebrospinal të grave pa demencë. Sëmundja e Alzheimerit përbën 60-70% të të gjitha diagnozave të demencës dhe rreth dy të tretat e pacientëve me Alzheimer janë gra. Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se mosha është faktori më i madh i njohur i rrezikut për Alzheimer dhe gratë kanë tendencë të jetojnë më gjatë se meshkujt, por disa studime kanë treguar një lidhje midis niveleve hematike të estradiolit, qoftë më të ulëta, qoftë më të larta se norma dhe rrezikut për demencë, ndërkohë që studime të tjera nuk kanë identifikuar një lidhje të tillë.

Disa punime kanë treguar se terapia hormonale pas menopauzës mund të rrisë rrezikun për demencë, por të tjera kanë dokumentuar një ulje të rrezikut. Po kështu, rënia konjitive është lidhur si me periudhat më të gjata, ashtu edhe me ato më të shkurtra të riprodhimit. "Përkundër të gjitha dëshmive kontradiktore, pak eksperimentime kanë ekzaminuar lidhjen midis estrogjenit dhe bioshënjuesve të Alzheimerit në lëngun cerebrospinal", thotë Jenna Najar, nga Universiteti i Gothenburgut, Suedi, autore e parë e punimit. Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit ndoqën për 25 vjet një mostër të vogël të grave pa demencë dhe në menopauzë natyrale. Bazuar në rezultatet e marra duke analizuar mostrat e lëngut cerebrospinal, ekspertët arritën në përfundimin se një jetë më e gjatë riprodhuese ishte e lidhur me rritjen e niveleve të bioshënjuesve të Alzheimerit në fazën paraklinike të sëmundjes; ata sugjeruan gjithashtu që duhet të kryhen studime më të mëdha për të konfirmuar këto gjetje.

"Studimi ynë i vogël i popullsisë tregoi një lidhje midis jetës riprodhuese dhe shënjuesve të Alzheimerit dhe megjithëse gjetjet duhet të konfirmohen në studime më të mëdha, ekspozimi ndaj estrogjeneve mund të jetë një faktor tjetër kontribues në rritjen e barrës së sëmundjes së Alzheimerit te gratë", përfundon Najari.


Menopause 2021. Doi: 10.1097/GME.0000000000001816
http://doi.org/10.1097/GME.0000000000001816 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>