mar312022
Rreziku për demencë shtohet te gratë në menopauzë të parakohshme
Menopauza e parakohshme, pra, para moshës 40 vjeçe, rrit mundësitë për të zhvilluar demencë të çdo lloji më vonë në jetë sesa mosha mesatare e fillimit prej 50 deri në 51 vjeçe, të paktën sipas përfundimeve të një studimi të paraqitur në formë paraprake në konferencën e Shoqatës Amerikane të Zemrës mbajtur në Çikago në mars 2022.
"Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i zakonshëm i demencës, e ndjekur nga forma vaskulare për shkak të ndërprerjeve të qarkullimit të gjakut në qelizat e trurit të shkaktuara nga një iktus ose nga ateroskleroza e arterieve që furnizojnë trurin", thotë bashkautori Wenting Hao i Universitetit Shandong në Kinë, i cili së bashku me kolegët analizuan korrelacionin midis fillimit të menopauzës dhe diagnozës së demencës nga çdo shkak, duke shqyrtuar të dhënat e 153,291 grave me moshë mesatare 60 vjeçe në kohën e regjistrimit, në periudhën 2006-2010, në arkivat e biobankës britanike, një bazë të dhënash biomjekësore që përfshin informacione gjenetike dhe shëndetësore për gjysmë milioni banorë në Britani.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se gratë që kanë hyrë në menopauzë para moshës 40-vjeçare kanë jo vetëm 35% më shumë gjasa për të zhvilluar demencë, por edhe një të tretën e rrezikut për t'u diagnostikuar para moshës 65 vjeç. "Ka disa mënyra për të ulur rrezikun e demencës te gratë që e kalojnë menopauzën herët. Këto përfshijnë ushtrime fizike të zakonshme, pjesëmarrje në aktivitete rekreative dhe edukative, mospirje të duhanit dhe alkoolit dhe ruajtjen e një peshe normale", vazhdon Hao, duke kujtuar gjithashtu se nivelet e ulëta të estrogjenit mund të jenë një faktor lidhës midis menopauzës së parakohshme dhe demencës, për shkak të rritjes së stresit oksidativ, që nga ana e tij, mund të përshpejtojë plakjen e trurit dhe dëmtimin konjitiv.
"Për të vlerësuar më mirë rrezikun e demencës së një gruaje, nevojiten studime të mëtejshme që do të vlerësonin kohën e fillimit të menopauzës si një faktor parashikues", përfundojnë studiuesit.
American Heart Association
https://newsroom.heart.org/news/early-menopause-may-raise-risk-of-dementia-later-in-life