Gjinekologji

jan202022

Ushqyerja me gji redukton rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Rishikimi sistematik

Sipas një studimi të botuar në Journal of the American Heart Association, rreziku i zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare ose i iktusit është më i ulët te gratë që kanë ushqyer me gji sesa tek ato që nuk e kanë bërë kurrë këtë. Nga hulumtimi, një rishikim sistematik dhe metaanalizë, doli gjithashtu se ushqyerja me gji te nënat, që studime të tjera e kanë lidhur tashmë me reduktimin e rrezikut për diabet të tipit 2 dhe kancerit të gjirit dhe vezoreve, lidhet me një rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare. "Është e rëndësishme që gratë të jenë të vetëdijshme për përfitimet e ushqyerjes me gji për shëndetin e foshnjave të tyre dhe gjithashtu, për shëndetin e vet", tha Peter Willeit-i (Universiteti i Mjekësisë në Innsbruk, në Austri), nënshkruesi i fundit i studimit.

Në veçanti, autorët analizuan 8 studime të kryera ndërmjet viteve 1986 dhe 2009 në vende të ndryshme të botës me një numër të përgjithshëm prej pothuajse 1.2 milionë grash që kishin pasur fëmijë, 82% e të cilave kishin ushqyer me gji. Pra, te gratë që kishin ushqyer me gji, krahasuar me ato që nuk e kishin bërë këtë gjatë jetës së tyre, u vu re një rrezik 11% më i ulët për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Në 10 vitet e ndjekjes së marrë në konsideratë, këto gra shfaqën gjithashtu një rrezik më të ulët për sëmundje koronare të zemrës, iktus dhe vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, përkatësisht me 14%, 12% dhe 17%.
Përveç kësaj, një reduktim i rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare u vu re te gratë që kishin ushqyer me gji për të paktën 12 muaj. Megjithatë, nuk janë vërejtur dallime sipas moshës së grave apo numrit të shtatzënive. Informacioni i kufizuar në lidhje me gratë që kanë ushqyer me gji për më shumë se 2 vjet, përfaqëson një kufizim të studimit. "Po t'i kishim këto të dhëna shtesë, do të kishim qenë në gjendje të llogaritnim më mirë vlerësimet për lidhjen midis kohëzgjatjes së ushqyerjes me gji dhe zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare te nënat", tha Lena Tschiderer, autorja e parë e studimit. Për Willeit-in, rezultatet e marra nënvizojnë nevojën për të inkurajuar dhe mbështetur ushqyerjen me gji, duke përfshirë programet e dedikuara për familjet para dhe pas lindjes së fëmijëve.

Studimi, së bashku me 11 artikuj të tjerë, u botua në një botim special, i cili, siç sugjeron edhe titulli, fokusohet në shtatzëninë dhe pasojat e saj në shëndetin kardiovaskular të nënave, por edhe të fëmijëve.


Journal of the American Heart Association 2022. Doi: 10.1161/JAHA.121.022746.
https://doi.org/10.1161/JAHA.121.022746


JAHA Spotlight: Pregnancy and Its Impact on Maternal and Offspring Cardiovascular Health.
https://www.ahajournals.org/jaha/spotlight_pregnancy_maternal_health 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>