nën22021
Skleroza e shumëfishtë dhe depresioni përkeqësojnë rrezikun e vdekjes dhe sëmundjeve kardiovaskulare
Sipas një studimi të botuar në Neurology, përveçse janë më të rrezikuar për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, njerëzit me sklerozë të shumëfishtë dhe depresion mund të kenë më shumë gjasa të vdesin brenda një dekade sesa njerëzit me një ose asnjë nga këto dy gjendje. "Këto gjetje nënvizojnë rëndësinë e identifikimit të depresionit te njerëzit me sklerozë të shumëfishtë dhe të monitorimit të faktorëve të tjerë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe iktusin", tha Raffaele Palladino, nga Imperial College London, autori i parë i studimit.
Studiuesit vlerësuan të dhënat e 12,251 pacientëve me sklerozë të shumëfishtë dhe 72,572 njerëzve pa sëmundje, duke ekzaminuar të dhënat mjekësore për të parë se kush kishte zhvilluar sëmundje vaskulare ose kishte vdekur, gjatë një periudhe 10-vjeçare. Në fillim të studimit, 21 për qind e njerëzve me sklerozë të shumëfishtë dhe 9 për qind e atyre pa këtë sëmundje, vuanin nga depresioni. Ekspertët zbuluan se njerëzit me sklerozë të shumëfishtë dhe depresion kishin një shkallë vdekshmërie nga të gjitha shkaqet prej 10.3 rastesh për 100,000 vite/njerëz. Shkalla e vdekshmërisë për njerëzit me sklerozë të shumëfishtë pa depresion ishte 10.6, për njerëzit me depresion pa sklerozë të shumëfishtë ishte 3.6 dhe për njerëzit pa asnjë nga këto kushte ishte 2.5. Analiza e të dhënave, e rregulluar sipas faktorëve të tjerë ngatërrues, tregoi se njerëzit me të dyja sëmundjet kishin pesë herë më shumë gjasa të vdisnin gjatë dekadës së ardhshme sesa njerëzit pa asnjërën nga këto sëmundje. Njerëzit me sklerozë, pa depresion, kishin gati katër herë më shumë gjasa të vdisnin dhe njerëzit me depresion pa sklerozë, kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa, sesa njerëzit pa asnjë nga këto dy patologji.
Përsa i përket rrezikut të sëmundjeve vaskulare, norma për njerëzit me sklerozë të shumëfishtë dhe depresion ishte 2.4 raste për 100,000 vite/njerëz, 1.2 për njerëzit me sklerozë të shumëfishtë pa depresion, 1.3 për njerëzit me depresion pa sklerozë të shumëfishtë dhe 0.7 për njerëzit pa asnjë nga këto patologji. Edhe në këtë rast, analiza e rregulluar tregoi se njerëzit me të dyja patologjitë kishin tre herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje vaskulare sesa njerëzit që nuk kishin asnjërën nga dy sëmundjet.
Neurology 2021. Doi: 10.1212/WNL.0000000000012610
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000012610