Kardiologji

dhj142023

Sëmundjet kardiovaskulare. Shoqata Italiane e Kardiologjisë: stilet e këqija të jetesës vrasin dhe shënjestra e parë është zemra

Numri i të vdekurve për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare për vitin 2022 ishte gati 20 milionë, i prirur për të arritur në 24 milionë brenda vitit 2030, me 66.000 viktima në ditë; ngjarje fatale të parandalueshme në 80% të rasteve. Alarmin e kanë dhënë ekspertët e Shoqatës Italiane të Kardiologjisë (SIC), duke u bazuar në raportin e ri të Barrës Botërore të Sëmundjeve Kardiovaskulare (Global Burden of Cardiovascular Diseases), i publikuar në "Journal of the American College of Cardiology" dhe në funksion të kongresit kombëtar të SIC në Romë. Specialistët e vendosin vëmendjen te rëndësia thelbësore e parandalimit për një reduktim real të vdekjeve dhe tek urgjenca e krijimit të politikave të kundërveprimit ndaj patologjive kardiovaskulare".

Raporti ka analizuar ndikimin e 18 gjendjeve kardiovaskulare dhe 15 faktorëve të rrezikut në 21 rajone të botës, 204 shtete dhe territore, me qëllim hartimin e një "atlasi" real të këtyre patologjive, që vazhdojnë të përfaqësojnë shkakun kryesor të vdekjeve në nivel ndërkombëtar. Rezulton se numri i vdekjeve për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare në botë është rritur, sipas një shënimi të SIC; nga 12.4 milionë që ishte në vitin 1990, në 19.8 milionë në vitin 2022. Nga sëmundjet kardiovaskulare të marra parasysh, kardiopatia ishemike, që shkaktohet nga një furnizim i pamjaftueshëm me gjak dhe oksigjen i zemrës, mbetet shkaku kryesor i vdekjeve me 109 të vdekur në çdo 100.000 banorë dhe ndiqet nga hemorragjia intercerebrale dhe iktusi ishemik. 15 faktorët e vlerësuar të rrezikut marrin parasysh shkaqet mjedisore (ndotja atmosferike, ndotja shtëpiake, ekspozimi ndaj plumbit, temperatura e ulët, temperatura e lartë), shkaqet metabolike (tensioni arterial i lartë, kolesteroli i keq, mbipesha, glukoza në gjak esëll, çrregullimet renale) dhe ato të sjelljes (ushqyerja, tymosja, tymosja pasive, përdorimi i alkoolit, aktiviteti fizik). Kardiologët thonë se, ndër këto, tensioni i lartë është faktor rreziku kryesisht përgjegjës për vitet e humbura të jetës për shkak të aftësisë së kufizuar. Dieta dhe zgjedhjet e gabuara të ushqyerjes (p.sh. konsumi i pakët i frutave, perimeve, bishtajave, drithërave integrale, arrave dhe farave, qumështit, fibrave, kalciumit, acideve yndyrore omega-3 dhe acideve yndyrore të pangopura dhe konsumi i tepërt i mishit të kuq dhe të përpunuar, pijeve me sheqer, acideve yndyrore trans dhe të natriumit) janë faktori kryesor i rrezikut në përkeqësimin e shëndetit, ndër ata të sjelljes. Nga ana tjetër, ndotja mjedisore renditet e para ndër rreziqet mjedisore.

Pasquale Perrone Filardi, president i SIC dhe drejtor i shkollës së  specializimit në sëmundjet e aparatit kardiovaskular, deklaron se: "Pas një rënieje të vdekjeve në dekadat e fundit, shifrat janë sërish në rritje, si të kardiopative ishemike, ashtu edhe të sëmundjeve kardiovaskulare. Parashikohet se numri i vdekjeve do të rritet brenda vitit 2030, duke kapur shifrën e 24 milionëve, me një mesatare prej 66.000 vetësh në ditë. Prandaj është e nevojshme të inkurajohen gjerësisht aktivitetet parandaluese, duke përfshirë të gjithë aktorët e mundshëm."

Ciro Indolfi, ish-president i SIC dhe profesor i kardiologjisë pohon se: "Sot më shumë se kurrë nevojitet kryerja e veprimeve konkrete edukative të parandalimit dhe favorizimit të shëndetit të zemrës dhe zhvillimi i programeve të menaxhimit të sëmundjeve kronike që marrin parasysh faktorët kryesorë të rrezikut kardiovaskular (p.sh. hipertensioni dhe kolesteroli i lartë), të asistencës shëndetësore kryesore dhe dytësore dhe të novatorizmit.  Ekspertët e SIC analizojnë se në bazë të "hartës" së gjurmuar nga raporti i  Barrës Botërore të Sëmundjeve Kardiovaskulare (Global Burden of Cardiovascular Diseases), disa rajone të Azisë, Europës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme paraqesin numrin më të madh të vdekjeve. Në Evropë, veçanërisht vendet e Lindjes regjistrojnë numrin më të lartë të vdekjeve, me 553 të vdekur, çdo 10.000 banorë. Azia qendrore, Evropa lindore, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme janë rajonet me shkallën më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare të shkaktuara nga hipertensioni. Prandaj, ai përfundon se krijimi i strategjive të shëndetit publik është thelbësor për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>