gus172023
Shtatzënia. Studimi italian analizon ndikimin e stresit dhe smogut në shëndetin e foshnjave
Një studim i nënshkruar nga studiuesit e Universitetit të Pavias ka nxjerrë në dritë të dhëna të reja mbi efektet e stresit matern dhe ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë në nivelin e metilimit të ADN-së dhe pasojat e mëvonshme të zhvillimit te të porsalindurit.
Studiuesit hetuan marrëdhënien komplekse midis stresit të përjetuar nga nëna para lindjes për shkak të pandemisë Covid-19 dhe ekspozimit ndaj grimcave të imëta me një diametër aerodinamik më të vogël se 2.5 mikrometra (Pm2.5), me qëllim zbulimin e ndikimit të mundshëm ndërveprues të këtyre faktorëve në rregullimin e gjenit të transportuesit të serotoninës (SLC6A4) dhe implikimet në mirëqenien e foshnjave. Ata mundën të gjenin nivele më të larta të metilimit të ADN-së në rajone specifike të gjenit SLC6A4 te foshnjat e lindura nga nëna të cilat raportuan nivele të larta të stresit të lidhur me pandeminë para lindjes dhe rritje të ekspozimit ndaj Pm2.5 gjatë shtatzënisë. Sipas një shënimi "efektet ishin veçanërisht të dukshme kur ekspozimi ndaj PM2.5 kishte ndodhur gjatë tremujorit të dytë të shtatzënisë". Gjë e cila sugjeron një dritare të mundshme kohore të ndjeshme për ndikimet zhvillimore që lidhen me stresin dhe ekspozimet mjedisore.
"Rezultatet tona nënvizojnë rëndësinë e të kuptuarit se si faktorët mjedisorë, si ndotja e ajrit, ndërveprojnë me ngjarjet stresuese të nënës duke ndikuar në zhvillimin e foshnjave të tyre. Ky hulumtim nxjerr në pah se ekziston një periudhë kritike gjatë shtatzënisë në të cilën duhet ti kushtohet vëmemendje e veçantë efekteve të kombinuara të stresit dhe ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit nga ana e nënës", komenton autori kryesor i studimit Livio Provenzi.
"Ne mundëm të zbulojmë se tremujori i dytë i shtatzënisë mund të jetë një moment më ndjeshëm për të përjetuar këto efekte, çka do të thotë se kemi një perspektivë të rëndësishme për ndërhyrjet që duhet të bëjmë në të ardhmen", përfundon bashkautorja Sarah Nazzari.