Gjinekologji

gus232023

Lidhja mes endometriozës dhe ekspozimit ndaj kadmiumit

Gratë me një histori të endometriozës kanë përqendrime më të larta të kadmiumit në urinë sesa ato pa këtë sëmundje, tregon një studim i publikuar në "Human Reproduction".

Edhe pse kjo nuk është puna e parë që eksploron një lidhje të mundshme midis kadmiumit dhe endometriozës, është hulumtimi më i madh i kryer ndonjëherë për të ekzaminuar kadmiumin e matur në urinë, duke reflektuar ekspozimin afatgjatë për një periudhë që varion nga 10-30 vjet. "Pavarësisht ndikimit negativ të endometriozës në cilësinë e jetës, kjo patologji është pak e studiuar. Duke parë faktorët e rrezikut mjedisor si kadmiumi metalik, ne po i afrohemi më shumë të kuptuarit të faktorëve të rrezikut që e karakterizojnë këtë sëmundje", thotë autorja kryesore e studimit Kristen Upson nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit në SHBA.

Kadmiumi është një metal toksik dhe një "metalloestrogjen", domethënë mund të veprojë si hormoni estrogjen, i cili është një nga elementët që qëndron në themel të patogjenezës së endometriozës.

Në SHBA, njerëzit zakonisht janë të ekspozuar ndaj kadmiumit nëpërmjet thithjes së tymit të duhanit dhe konsumit të ushqimeve të kontaminuara si spinaqi dhe marulja.

Për të mësuar më shumë, studiuesit analizuan të dhënat nga National Health and Nutrition Examination Survey  (NHANES), një studim kombëtar përfaqësues i popullsisë së Shteteve të Bashkuara i kryer gjatë periudhës 1999-2006. Mes më shumë se 41,000 pjesëmarrësve të studimit, ekspertët e kufizuan popullsinë e tyre të studimit te gratë 20-54 vjeç që kishin informacion rreth diagnozës së endometriozës. Më pas ata analizuan të dhënat, duke i ndarë nivelet e kadmiumit në katër kuartilale, nga ekspozimi më i ulët tek ai më i lartë.

Autorët arritën në përfundimin se gratë në kuartilin e dytë dhe të tretë kishin dy herë më shumë mundësi të diagnostikoheshin me endometriozë sesa ato në kuartilin e parë. Përveç kësaj, të dhënat sugjeruan edhe një rritje prej 60% të prevalencës së endometriozës bazuar në përqendrimet e kadmiumit urinar në kuartilin e katërt. Megjithatë, studiuesit theksojnë se për të konfirmuar këto gjetje nevojiten studime të tjerë në të ardhmen.

 

Human Reproduction 2023. Doi: 10.1093/humrep/dead117
http://doi.org/10.1093/humrep/dead117


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>