gus132024
Endometrioza është e lidhur me kancerin e vezores. Ja, se si
Rreziku për kancer të vezores është veçanërisht i lartë te gratë me endometriozë infiltruese të thellë dhe/ose endometrioma ovariane. Akoma më i lartë është rreziku për kancer të vezores të tipit I.
Sipas hulumtimit të udhëhequr nga Karen C. Schliep, Universiteti i Utahut, disa nënlloje të endometriozës janë të lidhura me një incidencë më të lartë për kancer të vezores. Në studim u përdorën të dhëna nga më shumë se 11 milionë banorë të Utahut për të krahasuar gratë me endometriozë me një grup kontrolli pa endometriozë. Nga studimi rezultoi se gratë me endometriozë, veçanërisht ato me endometrioma ovariane dhe endometriozë infiltruese të thellë, kanë një rrezik deri në katërfish më të lartë për zhvillim të kancerit të vezores.
Në studimin e publikuar në JAMA, endometrioza u nda në katër nënlloje: endometrioza sipërfaqësore, endometrioma ovariane, endometrioza infiltruese e thellë dhe lloje të tjera. Grupi i studimit u ndoq mesatarisht për 12 vjet, me 597 raste të identifikuara me kancer të vezores. Diagnozat e endometriozës u konfirmuan përmes të dhënave elektronike të shëndetit, ndërsa rastet e kancerit të vezores u identifikuan përmes Regjistrit të Kancerit në Utah. Të dhënat tregojnë se rreziku për kancer të vezores është veçanërisht i lartë te gratë me endometriozë infiltruese të thellë dhe/ose me endometrioma ovariane. Rreziku për kancerin e vezores të tipit I (endometrioid, me qeliza të pastra, mucinoz dhe seroz i shkallës së ulët) ishte edhe më i lartë.
Një nga kufizimet e raportuara nga autorët është keqklasifikimi i mundshëm i endometriozës, duke pasur parasysh mungesën e një bioshënjuesi specifik për diagnozën. Për më tepër, menaxhimi mjekësor i endometriozës, si përdorimi i kontraceptivëve oralë ose agonistëve të GnRH, nuk ishte i detajuar në grupin e të dhënave.
Editoriali shoqërues, i shkruar nga Michael T. McHale, Departamenti i Onkologjisë Gjinekologjike në UC San Diego Health, thekson rëndësinë e këtyre gjetjeve për praktikën klinike: "Këto të dhëna mbështesin rëndësinë e informimit të grave me endometriozë infiltruese të thellë dhe/ose endometrioma ovariane, në lidhje me rritjen e rrezikut për kancer të vezores".
JAMA 2024. Doi: 10.1001/jama.2024.9210
http://doi.org/10.1001/jama.2024.9210
JAMA 2024. Doi: 10.1001/jama.2024.12357
http://doi.org/10.1001/jama.2024.12357