kor142022
Insuficienca renale kronike. Aktiviteti fizik lidhet me një rrezik më të ulët kardiovaskular
Sipas të dhënave të publikuara në American Journal of Kidney Diseases, aktiviteti më i madh fizik i vetëraportuar lidhet me një rrezik më të ulët për ngjarje kardiovaskulare te pacientët me sëmundje renale kronike.
"Edhe pse udhëzimet për sëmundjen renale kronike përfshijnë rekomandime për nivelet minimale të aktivitetit fizik, ato bazohen kryesisht në studimet e kryera në popullatën e përgjithshme. Për shkak të mungesës së studimeve tek individët me insuficiencë renale kronike, pesha e evidencave për rekomandime të tilla në lidhje me insuficiencën renale kronik klasifikohet e ulët", shpjegon autori kryesor i studimit Jacob Bruinius (Universiteti i Illinoisit, Çikago).
Studiuesit analizuan 3,926 pacientë me insuficiencë renale kronike nga studimi Cronic Renal Insufficiency Cohort (CRIC) për të përcaktuar korrelacionin e aktivitetit fizik të vetëraportuar me rrezikun e përbërë të ngjarjeve aterosklerotike (infarkti i miokardit, iktusi ose sëmundjet arteriale periferike) dhe insuficiencën kardiake, vdekjen nga të gjitha shkaqet dhe vdekjen nga shkaqe kardiovaskulare. Pacientët morën pjesë në vlerësimet e plota bazë, vizitat klinike vjetore dhe iu përgjigjën thirrjeve telefonike në intervale gjashtëmujore; koha mesatare e ndjekjes ishte 13.4 vjet.
Gjatë studimit, pacientët plotësuan pyetësorët e aktivitetit fizik çdo javë. Ekspertët e klasifikuan aktivitetin fizik sipas niveleve të rekomanduara nga udhëzimet dhe i ndanë pjesëmarrësit në "aktivë dhe në përputhje me udhëzimet", "aktivë, por jo në përputhje me udhëzimet", ose "joaktivë". Më pas ata matën korrelacionin midis aktivitetit fizik dhe rezultateve të përditësuara me kalimin e kohës, duke rregulluar analizën sipas faktorëve të mundshëm ngatërrues.
Nga 3,926 pacientë, 51% i ndoqën udhëzimet për aktivitetin fizik. Nga ata që nuk i ndoqën këto udhëzime, 30% ishin joaktivë. Gjithsej 772 ngjarje aterosklerotike, 848 ngjarje të insuficiencës kardiake, 1,553 vdekje nga të gjitha shkaqet dhe 420 vdekje kardiovaskulare ndodhën gjatë ndjekjes. Analiza e të dhënave zbuloi se pacientët në kuartilin më të lartë të aktivitetit kishin një rrezik më të ulët për ngjarje aterosklerotike, insuficiencë kardiake dhe vdekje nga të gjitha shkaqet dhe nga sëmundjet kardiovaskulare sesa ata në kuartilin më të ulët.
"Gjetjet tona mbështesin faktin se efektet kardioprotektive të aktivitetit fizik në popullatën e përgjithshme qëndrojnë edhe për të rriturit me insuficiencë renale kronike", përfundon autori.
American Journal of Kidney Diseases 2022. Doi: 10.1053/j.ajkd.2022.05.007
http://doi.org/10.1053/j.ajkd.2022.05.007