Mjekësi e përgjithshme

tet212015

SHBA, rritje e normave të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga përdorimi i opiateve me përshkrim mjekësor

Nga viti 2003 deri në vitin 2013 shkalla e përdorimit jo terapeutik të opiateve me përshkrim mjekësor te të rriturit në SHBA, është ulur krahasuar me shtimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, kjo sipas përfundimeve të një studimi të publikuar në "Jama". "Në këtë periudhë vizitat në urgjencë dhe vdekjet nga overdoza janë shtuar në mënyrë eksponenciale", shpjegon Beth Han nga "Substance Abuse and Mental Health Services Administration" në Rockville, Maryland, bashkautor i artikullit, i cili me kolegët e tij ka vlerësuar prevalencën e riskut të përdorimit jo mjekësor të opiateve në 472.200 persona e që mes 2003 dhe 2013 kanë marrë pjesë në një studim kombëtar mbi efektet që ka konsumimi i drogave në shëndet, duke përllogaritur vdekshmërinë mbi bazën e të dhënave të "National Vital Statistics System's Multiple Cause of Death Files".
Midis të rriturve me moshë nga 18 në 64 vjeç, prevalenca e përdorimit jo mjekësor të opiateve me përshkrim ka rënë nga 5,4% në vitin 2003 në 4,9% në 2013-ën, por sëmundshmëria është rritur në të njëjtën periudhë nga 0,6% në 0,9%. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me vdekshmërinë nga mbidozimi i opiateve me përshkrim, duke shkuar nga 4.5 për 100.000 raste në 2003-shin, në 7.8 për 100.000 në vitin 2013. "Kemi konstatuar një reduktim domethënës në përdorimin jo terapeutik të opiateve të përshkrueshëm me recetë mjekësore krahasuar me shtimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë lidhur me administrimin e tyre, edhe përballë përdorimit gjithnjë e në rritje të heroinës dhe të vdekjeve nga overdoza", shprehen kërkuesit duke theksuar nevojën për të rishikuar përdorimin jo mjekësor të opiateve me përshkrim dhe abuzimit me heroinën, në mënyrë të koordinuar dhe globale. Lewis Nelson i Shkollës së mjekësisë në New York University në një editorial komenton: "Natyra kronike dhe përsëritëse e varësisë nga opiatet, zbuluar nga ky studim në lidhje me vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë duket se i kalon përfitimet e tyre në trajtimin e dhembjes kronike. Edhe po të jenë të nevojshme qasje të shumëllojshme për përballimin me sukses të epidemisë nga opiatet me përshkrim, një hap i rëndësishëm i cili mund të kryhet menjëherë është që të ngadalësojmë sa më shumë përshkrimin".

Jama 2015. doi:10.1001/jama.2015.11859
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2015.11859

Jama 2015. doi:10.1001/jama.2015.12397
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2015.12397

Përktheu: Erjola Taga


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>