Mjekësi e përgjithshme

dhj152022

Melanoma. Për disa pacientë rreziku i vdekjes është shumë i ulët

Sipas një studimi të botuar në Cancer, disa pacientë me melanomë në fazat e hershme paraqesin raste që bëhet një mbidiagnostikim i sëmundjes, duke pasur parasysh rrezikun e ulët të vdekjes, madje edhe të shfaqjes së simptomave.

"Edhe pse melanoma është lloji më serioz i kancerit të lëkurës, shumica e pacientëve kanë një shans të lartë për t'i mbijetuar sëmundjes. Pavarësisht kësaj, ekzistojnë prova që disa nga rastet e melanomës janë diagnostikuar te pacientët të cilët nuk kanë përjetuar kurrë simptoma", tha autorja kryesore e studimit Megan Eguchi nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos, SHBA.

Studiuesit përdorën arkivin SEER (Surveillance, Epidemiology, and End Results) për të gjetur pacientë të diagnostikuar me melanomë të papërhapur në nyjet limfatike të fazës 1, 1.0 mm ose më pak, në periudhën 2010-2011.

Më pas, ata zhvilluan disa modele për të identifikuar pacientët me rrezik shumë të ulët për të vdekur nga melanoma në shtatë vjet dhe ata me rrezik më të lartë të vdekjes. Ndër 11,594 pacientët e analizuar, shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë nga melanoma për një periudhë shtatëvjeçare ishte 2.5%. Megjithatë, modelet identifikuan një nëngrup (25% të pacientëve) me rrezik të vdekjes prej më pak se 1%. Këta pacientë ishin më të rinj në moshë dhe tumoret e tyre treguan invazivitet minimal në lëkurë.

Një nëngrup shumë i vogël pacientësh (më pak se 1%) që ishin më të moshuar dhe kishin tumore pak më të avancuara, edhe pse u konsideruan me rrezik të ulët sipas kritereve aktuale, kishin një rrezik vdekjeje më të madh se 20%.

Ekspertët shpresojnë se rezultatet e këtij studimi mund të përdoren si pikënisje për kërkimet e ardhshme për të përmirësuar më tej këtë klasifikim. "Duke pasur parasysh rrezikun jashtëzakonisht të ulët të vdekjes nga melanoma që lidhet me disa nga rastet e identifikuara në punën tonë, nëse këto gjetje konfirmohen në studime të tjera, përdorimi i një termi të tillë si 'tumor melanocitar me potencial të ulët malinj' mund të jetë i përshtatshëm në raste të tilla. Një përkufizim i tillë mund të lehtësojë shqetësimet e njerëzve në lidhje me prognozën dhe rezultatet dhe na lejon ne të bëjmë një hap para në trajtimin e problemit të mbidiagnostikimit", përfundojnë autorët.

 

Cancer 2022. Doi: 10.1002/cncr.34490
https://doi.org/10.1002/cncr.34490


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>