Mjekësi e përgjithshme

shk102023

Efikasiteti i bronkodilatimit në çrregullimet pulmonare prej duhanit

Bronkodilatimi sjell përfitime të pakta te njerëzit që kanë simptoma të sëmundjeve respiratore dhe janë duhanpirës, por nuk vuajnë nga bronkopneumopatia obstruktive kronike (BPCO), sipas një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine".

"Ne supozuam se këto barna mund të funksionojnë te pacientët të cilët nuk i plotësojnë kriteret e funksionit pulmonar për BPCO-në, por nuk e kemi verifikuar kurrë nëse ndodh vërtetë kështu", tha autorja kryesore e studimit MeiLan Han nga Universiteti i Miçiganit.

Studiuesit regjistruan 535 të rritur me simptoma të BPCO-së midis 40 dhe 80 vjeç, të cilët përdorën një inhalator që përmbante ose një medikament ose një placebo dy herë në ditë.

Në fund të studimit, 56% (128 nga 227) e pjesëmarrësve që morën medikamentin vunë re përmirësime në simptomat respiratore, krahasuar me 59% (144 nga 244) e atyre që morën placebon, dhe për këtë arsye nuk u vunë re dallime të rëndësishme midis dy grupeve.

Sipas studiuesve, këto gjetje tregojnë rëndësinë e diagnostikimit të patologjive pulmonare nëpërmjet spirometrisë, e cila është e pashfrytëzuar në praktikën klinike, si dhe nxjerrin në pah nevojën për terapi të reja dhe efektive për pacientët pa BPCO.

"Inhalatorët kanë qenë prej kohësh trajtimi kryesor për këta njerëz, sepse mjekët ose supozojnë se një pacient ka BPCO ose, nëse jo, se simptomat e lidhura me pirjen e duhanit mund të lehtësohen nga inhalatorët. Por edhe pse tymi i duhanit shkakton një spektër të gjerë dëmtimi të mushkërive, terapia me bronkodilator ndihmon vetëm pacientët me dëmtime pulmonare të cilat  çojnë në lexime jonormale të spirometrisë", thotë Han.

Testi i spirometrisë duhet të përdoret për çdo pacient që shfaq shenja të BPCO-së, pengim të rrjedhës së ajrit ose që ka një histori të pirjes së duhanit. Përveç inkurajimit për ndërprerjen e duhanit, mjekët mund të ndihmojnë pacientët që nuk plotësojnë kriteret e funksionit të mushkërive të BPCO-së duke punuar me ta për të trajtuar çdo problem tjetër themelor, si mbipesha dhe obeziteti, insuficienca kardiake ose probleme të tjera pulmonare.

 

NEJM 2022. Doi: 10.1056/NEJMoa2204752
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2204752


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>