shk22024
Varianti JN.1 i Covid vazhdon të mbizotërojë në Itali. Shërimet ulen me 37%
Në Itali varianti JN.1 i SarS-Cov-2 vazhdon të jetë mbizotërues, duke arritur një prevalencë prej 77%, bazuar në të dhënat e sondazhit mbi mostrat e marra nga data 15 në datën 21 janar, krahasuar me 38.1% nga sondazhi i mëparshëm "flash", i kryer më 11-17 dhjetor. Kjo u bë e ditur nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë (ISS), i cili thekson se përhapja e këtij varianti të shqyrtuar (pasues i BA.2.86), po shtohet globalisht, duke u kthyer në variantin aktualisht dominues. Bazuar në provat aktuale të disponueshme, JN.1 nuk duket se paraqet rreziqe shtesë për shëndetin publik në krahasim me variantet e tjera që qarkullojnë në të njëjtën kohë. Megjithatë, ka një rënie të theksuar të shtrimeve në spital për Covid, duke u ulur me 37% sipas një sondazhi të fundit, një shenjë negative kjo, tashmë e konfirmuar që prej shtatë javësh.
Ngadalësimi i infeksioneve është më i dukshëm te personat asimptomatikë: -44% te pacientët "me Covid", të cilët janë në spital për shkaqe të tjera, por kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Nga ana tjetër, ulet me 26.8 përqindja e të shtruarve "për Covid", pra, të atyre që janë shtruar për sëmundje infektive, ose që marrin medikamente për sindroma respiratore dhe pulmonare, të lidhura me infeksionin e SARS COV-2. Mosha mesatare e pacientëve të shtruar në spital është 76 vjeç dhe në 95% të rasteve ata vuajnë edhe nga patologji të tjera. Edhe shtrimet në terapi intensive për Covid kanë rënë me 66%. Pra, në terma absolutë ka pak pacientë në spital "me Covid" të shtruar për patologji të tjera.
ISS, në buletinin e tij, raporton se po qarkullojnë njëkohësisht edhe variante të tjera virale, edhe pse me vlera prevalence dukshëm në rënie, që i atribuohen XBB-së dhe veçanërisht variantit EG.5 (prevalenca kombëtare e vlerësuar në 7.3% krahasuar me 30.6% në anketën e mëparshme).
"Sipas skenarit aktual është e nevojshme të vazhdohet të monitorohet me vëmendje të madhe, në pajtueshmëri me rekomandimet kombëtare dhe ndërkombëtare, përhapja e varianteve virale dhe në veçanti e atyre me transmetueshmëri më të madhe dhe/ose me mutacione të lidhura me evazionin e mundshëm të përgjigjes imune", rekomandon instituti.