pri52022
Mutacioni i ri Covid, mbërrin në Shqipëri. Konfirmohen rastet e para me Omicron Ba2
Konfirmohen rastet e para me nënvariantin Omicron Ba2. Në Institutin e Shëndetit Publik ka mbërritur përgjigjja zyrtare nga laboratori i referencës në Berlin, për mostrat që ishin nisur disa javë më parë për t'u konfirmuar. Ndërkohë, referuar edhe shifrave të publikuara çdo ditë vihet re se ka filluar një rritje e lehtë si përsa u përket rasteve të infektuara, ashtu edhe numrit të pacientëve të shtruar në spital.
Ky nën variant i Omicronit ka një transmetueshmëri 30% më të lartë sesa vetë Omicroni. Po kështu, te personat e prekur, përveç prekjes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, prek edhe aparatin tretës, duke shkaktuar dhimbje stomaku, diegie, të vjella dhe diarre. Të gjitha strukturat shëndetësore po punojnë për të shtuar mbulesën vaksinale në popullatë. Por, cila është sjellja e këtij mutacioni të ri ndaj vaksinës? Ekspertja e ISHP-së thekson se duhet të vaksinohemi sa më shumë:
"Vaksinimi është shumë i rëndësishëm. Mund të mos japë mbrojtje maksimale, por mbron ndaj çdo mutacioni", thekson Iria Preza.
Nënvarianti i Omicronit ka rritur numrin e të infektuarve në shumë shtete në Evropë, si: Itali, Francë, Gjermani, Greqi. Por ndërkohë, në Angli, te 600 vetë është shfaqur një tjetër nënvariant i Omicronit, Xe, i cili ka 10% më shumë infektueshmëri se Ba2. Ende nuk ka të dhëna për klinikën që ai shfaq.
Alma Demiraj