kor82022
Covid 19. Prof. Andi Korraqi: Piku i valës së 7-të mund të jetë në vjeshtë. Imuniteti nga vaksina dhe ai natyral zgjat vetëm 6 muaj
Rritja e numrit të rasteve të infektuara me Sars-Cov-2 mund të ketë si shkak jo vetëm nënvariantet e reja të Omicron BA4 dhe BA5 të cilat kanë alarmuar Amerikën dhe shumë vende në Europë, por edhe rënien e imunitetit që kishte krijuar popullata. Në Shqipëri ende nuk dihet nëse kanë hyrë këto dy nënvariante; Instituti i Shëndetit Publik pret përgjigje nga laboratorët e referencës pasi nuk mund ta bëjë sekuencimin e tyre. Nga ana tjetër, rënia e imunitetit në popullatë mund të jetë një tjetër arsye, për shkak se dozat e fundit, kryesisht ato të dyta janë bërë përpara një viti. Shefi i shërbimit të mikrobiologjisë prof. Andi Korraqi thotë se si imuniteti nga vaksina, ashtu edhe ai natyral, zgjatin vetëm 6 muaj.
"Ndryshe nga sa u tha në fillim, që imuniteti nga coronavirusi zgjat dy vjet apo 9 muaj, studimet kanë treguar se imuniteti, si nga vaksina, ashtu edhe kur e ke kaluar sëmundjen Covid-19, zgjat vetëm 6 muaj. Ndaj ka një rritje të numrit të rasteve të infektuara në shumë vende. Sigurisht, rritja e numrit të rasteve do të shoqërohet edhe me humbje jete", shpjegon prof. Korraqi.
Edhe pse coronavirusi në këto dy vite pandemi ka shfaqur qasje të ndryshme përtej parashikimeve apo kronologjisë së viruseve, referuar edhe disa agjencive ndërkombëtare, prof. Korraqi thotë se piku i kësaj vale të shtatë të pandemisë mund të jetë në vjeshtë.
"Në Shqipëri, rritja e rasteve të infektuara nisi pak më vonë se në disa vende të tjera në Europë. Trendi në rritje vazhdon, pasi BA5 dhe BA4 kanë transmetueshmëri të lartë. Madje, nga nënvarianti i parë i Omicronit, deri te BA5, transmetueshmëria ka ardhur në rritje, por sëmundshmëria nuk është shumë agresive", shprehet prof. Andi Korraqi, një ndër ekspertët e Komitetit Teknik.
Ndryshe nga viruset e tjera, që lënë imunitet që zgjat 10 vjet, coronavirusi duket se po ngre shumë pikëpyetje ndër radhët e ekspertëve, pasi ka gjasë që të ketë valë edhe më të rënda klinikisht, kur në fakt, pritej që të zbuteshin.
"Ne jemi mësuar që sipas kronologjisë së viruseve, të ndodhë që ata të zbuten nga vala në valë. Coronavirusi na ka vënë përballë disa pikëpyetjeve të mëdha si përsa i përket imunitetit, ashtu edhe ndryshimeve që pëson nga njëra valë në tjetrën. Nëse gjen një popullatë me imunitet të rënë, mund të jetë edhe më agresiv, por edhe më i butë", shpjegoi për Doktor33 prof. Andi Korraqi.
BA5 dhe BA4 janë nënvariante të Omicronit i cili nuk shfaq sëmundshmëri të rëndë, por ka transmetueshmëri të lartë. Sipas ekspertëve, te të pavaksinuarit mund të shkaktojë probleme të rënda, deri edhe humbje jete.
Alma Demiraj