kor192024
Neuronet pasqyrë. Fëmijët arrijnë të kuptojnë që në moshën trevjeçare. Ja, studimi
Fëmijët janë të aftë t'i kuptojnë të tjerët që në moshën trevjeçare, të "pasqyrojnë" veten në ata që kanë përballë për t'i imituar ata dhe për të parashikuar qëllimet e tyre. E gjitha kjo është meritë e neuroneve pasqyrë. Në fakt, të vegjlit e kanë dhunti këtë arkitekturë neurofunksionale të sofistikuar, mbi të cilën bazohet të kuptuarit e qëllimeve të të tjerëve. Neuronet pasqyrë janë aktive që në atë moshë, sipas një studimi italian të publikuar në revistën shkencore PNAS.
"Bëhet fjalë për një zbulim shumë të rëndësishëm, pasi tregon se që në një moshë kaq të vogël, fëmijët janë të pajisur me sistemin "jehonë", të përbërë nga neuronet pasqyrë, që përbëjnë bazat mbi të cilat, me zhvillimin dhe përvojën, do të ndërtohet një kuptim i botës sociale gjithnjë e më komplekse dhe të artikuluar", shpjegon autorja e studimit, Antonella Marchetti. Edhe pse fëmijët në moshë parashkollore janë në gjendje të planifikojnë zinxhirë të veprimeve motorike të orientuara drejt qëllimit, kuptimi i tyre për qëllimet e individëve të tjerë të përfshirë në detyra motorike nuk është analizuar plotësisht deri më tani. Në këtë studim, u mat aftësia e fëmijëve parashkollorë për të organizuar një zinxhir veprimesh motorike, duke kuptuar qëllimin e zinxhirit të veprimeve të një individi tjetër.
Me qëllim verifikimin e këtij kapaciteti, grupi ka matur aktivizimin e muskulit milohioid, të aktivizuar gjatë hapjes së gojës ndërsa fëmijët kapnin një kafshatë ushqimi për të ngrënë ose një copë letër për ta vendosur në një enë. Kur kapej ushqimi, aktivizimi i muskulit milohioid fillonte disa milisekonda para përfundimit të veprimit. Nga ana tjetër, muskuli nuk aktivizohej kur kapej letra, duke sugjeruar kështu për praninë e një zinxhiri të planifikuar të veprimeve motorike që synojnë objektivin e veprimit. Edhe kur fëmijët shihnin një eksperimentues që kryente të njëjtat veprime, muskuli milohioid aktivizohej gjatë vëzhgimit të kapjes së ushqimit.
Megjithatë, u zbulua se aktivizimi i muskulit është më i ngadaltë, se te fëmijët më të mëdhenj, në moshat 6-9-vjeçare (të analizuar në studime të mëparshme), te të cilët konstatoheshin procese konjitive më të sofistikuara. Sipas autorëve, rezultatet sugjerojnë se kuptimi i qëllimeve motorike të të tjerëve është një aftësi në zhvillim te fëmijët në moshë parashkollore. Si përfundim, të dhënat aktuale i mbështesin akoma më tej evidencat që lidhen me fazat e ndryshme të zhvillimit në këtë fushë, si vazhdim i studimeve me fëmijë shumë të vegjël, që shfaqin një sintoni të hershme me veprimet motorike që synojnë objektivin.
Këto rezultate janë të rëndësishme edhe përsa i përket diagnostikimit të hershëm, për shembull në rastin e fëmijëve me çrregullim të spektrit autik, sepse ato mund të bëjnë të mundur një vlerësim psikofizik instrumental të një mungese të mundshme në kuptimin e qëllimeve dhe dëmtimit të mundshëm të pararendësve themelorë për zhvillimin e aftësive sociale.