kor242024
HIV. Raporti i UNAIDS: infeksionet janë në rënie, por vdekjet janë ende të larta
Lufta kundër HIV në botë po vazhdon të përparojë, por jo me shpejtësinë e parashikuar. Gjithsej, vitin e kaluar u infektuan 1.3 milionë vetë me HIV, 39% më pak se në vitin 2020. U shtua numri i individëve që u nënshtrohen trajtimeve antiretrovirale, duke arritur në 30.7 milionë, shifër e barabartë me afro 75% të individëve seropozitivë (47% në vitin 2010). Ka rënë edhe numri i vdekjeve, duke u përgjysmuar në 15 vite, por mbetet akoma i lartë: 630.000 në vit, i barabartë me pak më shumë se 1 në minutë. Këto të dhëna janë pjesë e raportit vjetor të Programit të Kombeve të Bashkuara mbi HIV-in dhe SIDA-n (UNAIDS), në të cilin theksohet: burimet e investuara në vitet e ardhshme dhe cilësia e politikave të zbatuara do të përcaktojnë trajektoren e epidemisë.
Raporti i UNAIDS
Raporti demonstron shumë tendenca pozitive. Në shkallë botërore, ulet numri i infektimeve te adoleshentët dhe te vajzat e reja; reduktohet transmetimi nga nëna te foshnja falë një qasje më të mirë ndaj terapive; për herë të parë janë regjistruar më shumë infektime jashtë Afrikës subsahariane, e cila ka qenë prej vitesh epiqendra e epidemisë. Megjithatë, nuk mungojnë problematikat: infektimet kanë rifilluar të shtohen në disa rajone të botës, si në Evropën lindore dhe Azinë qendrore, Amerikën latine, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Gjithashtu, nuk janë pakësuar as pabarazitë gjinore, me gratë që në disa rajone të botës (p.sh. në Afrikë) janë viktimat kryesore të infektimeve. Së bashku me to, disa minoritete (punonjësit e seksit, burrat që kanë raporte seksuale me burrat, individët që drogohen nëpërmjet injektimit), janë viktima të stigmës. Një fenomen ky, që jo vetëm i bën të dobët ndaj virusit HIV, por kontribuon edhe në ushqyerjen e epidemisë.
Angazhimi i liderëve botërorë
"Liderët botërorë janë angazhuar për t'i dhënë fund pandemisë së SIDA-s, si një kërcënim për shëndetin publik brenda vitit 2030 dhe mund ta mbajnë këtë premtim, por vetëm nëse sigurohen që reagimi ndaj HIV ka burimet e nevojshme dhe që të drejtat e njeriut të mbrohen për të gjithë", pohoi drejtoresha ekzekutive e UNAIDS, Winnie Byanyima. Shqetësues është reduktimi i burimeve, i cili po frenon përparimet dhe po shkakton shtim të epidemive në disa rajone të botës. Nëse liderët do të ndërmarrin veprimet e duhura për garantimin e burimeve të mjaftueshme dhe të qëndrueshme, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të bjerë numri i individëve me HIV që marrin trajtim për gjithë jetën. Nëse ndiqet rruga e gabuar, do të shtohet numri i individëve që kanë nevojë për mbështetje të përhershme. "Dështimi nuk është opsion. Nëse punojmë të gjithë së bashku, do ta arrijmë objektivin e përbashkët", thonë ata.