kor152014
Pezullohet dekani i Fakultetit të Mjekësisë, 55mln lekë dëm në buxhet
Një audit i kryer në qershor të këtij viti në Fakultetin e Mjekësisë, ka evidentuar shkelje në këtë institucion nga ana e dekanit të Fakultetit, Bajram Hysa. Mbi 55 milionë lekë rezulton të jetë dëmi ekonomik i shkaktuar në buxhetin e Fakultetit të Mjekësisë si pasojë e shkeljeve ligjore të kryera.
Sipas Rektoratit dhe auditit të brendshëm , ka një shkelje të rëndë të ligjit "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë",si dhe sa i takon ligjit "Për përcaktimin e kritereve të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qera, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurive shtetërore" . Janë konstatuar shkelje në masën 55. 365.479 lekë. Në urdhërin e lëshuar nga rektorati rezulton se ka shkelje në ligjin" për menaxhimin financiar dhe kontrollin" si dhe "për menaxhimin e aktiveve të njësive të sektorit publik", të Ministrisë së Financave.
I kontaktuar nga doktor33.al Z. Hysa shpreh indinjatën e tij mbi këtë vendim si dhe deklaron se do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje pasi nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se vendimi i Rektorit është i padrejtë, madje ai shkon më tej duke e cilësuar të qëllimshëm këtë vendim për ta pezulluar nga detyra.
Një pezullim i tillë, i marrë nga rektorati i këtij fakuteti dhe i firmosur nga rektori Z.
Ali Refatllari është i pa precedent në këtë fakultetë. Z. Hysa u zgjodh dekan i fakultetit të mjekësisë në vitin 2012 me një shumicë të konsiderueshme votash dhe ka qendruar në këtë pozicion deri ditën premte 11 korrik 2014. Sigurisht legjislacioni i mundëson rektoratit të universitetit të marrë vendimin për pezullim, por vendimi për shkarkimine tij nga detyra i mbetet Ministrisë së Arsimit.
Në ditët në vazhdim doktor33.al do mundësoj publikimin e një deklarate të plotë nga ana e Z. Hysa mbi çështjen në fjalë.