kor222014
Gjykata administrative rikthen në detyrë dekanin e Fakultetit të Mjekësisë
"Ka më shumë se një vit, që Fakulteti i Mjekësisë dhe stafi i tij drejtues ka ngritur zërin dhe ka denoncuar administrativisht dhe publikisht të gjithë problematikën e lidhur me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë dhe ka kërkuar, bashkë me studentët, ndërhyrjen e Minisrisë së Arsimit dhe Sportit, si arbitri më i drejtë e i paanshëm në kontestimet akademike mbi veprimtarinë audituese në periudhën janar-prill 2014 e një Grup Kontrolli i Njësisë së Auditit të Brendshëm të UMT, i cili është treguar jo profesional, i njëanshëm dhe jo transparent," me këto fjalë nis deklaratën e tij për shtyp Prof.Dr. Bajram Hysa në lidhje me pezullimin si dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Një muaj më parë fakulteti i mjekësisë iu drejtua Ministrisë së Arsimit me një ankimim në lidhje me veprimtarinë e auditit të brendshëm pasi e vlersonte si jo serioz dhe Ministria e Arsimit iu përgjigj informacionit të dërguar pranë saj dhe kërkesave të përsëritura, me Urdherin Nr. 290, date 02. 07. 2014, Nr. 4542 Prot «Për ngritjen e grupit të punës për investigimin e veprimtarisë së punës së Njësisë së Auditimit të Brendshëm të Universitetit të Mjekësisë mbi procedurën e auditimit të kryer në Fakultetin e Mjekësisë. » dhe në datë 07. 07. 2014 grupi i punës i sipërcituar ishte i pranishëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në keto kushte çdo prononcim i mëtejshëm nga të gjitha palët e përfshira duhej të paraqitej pas përfundimit të investigimit nga grupi i punës dhe daljes së raportit përfundimtar të tyre.
"Për fat të keq, Rektori i UMT - së, duke shpërfillur parimet e përparësisë së organeve administrative, doli me një vendin të nxituar, të padrejtë dhe antiligjor për pezullimin tim. Sikurse jemi shprehur edhe në Observacionin tonë të dërguar pranë Rektoratit, i cili pa asnjë argumentim bindës nuk u mor parasysh, grupi i auditimit është përfshirë edhe në analizën e cështjeve komplekse specifike menaxheriale që kanë të bëjnë me drejtimin e fakultetit. Gjykoj se ata nuk mund të arrijnë, për vete pozicionin e punës së tyre, të kuptojnë dhe analizojnë përgjegjësitë e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në momentin e shkëputjes të Fakultetit nga Universiteti i Tiranës dhe ndarjes së tij në 4 fakultete që do të përfshiheshin në strukturën e UMT-së ; periudhë që diktoi vështirësi në realizimin e detyrave funksionale për funksionimin normal të të gjithë sektorëve, përfshi edhe procesin e mësimdhënies," shprehet dekani Hysa.
Prof. Hysa këtë masë të marrë nga rektori e dërgoi menjëherë në organet kompetente dhe ditën e djeshme (21/07/2014) Gjykata Administrative doli me vendimin për pezullimin e aktit administrativ të ndërrmarë nga rektorati i UMT dhe automatikisht kthimin në detyrë të Prof. Dr. Bajram Hysa.