News

jan272015

Specializimet: debat në komision mes deputetëve dhe dy ministrave

Pranimi në konkursin e specializimeve i mjekëve të cilët nuk kishin dhënë provimin e shtetit ka sjellë debate në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë mes deputetëve dhe ministrave. Znj.Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, ka pohuar se udhëzimi u ndryshua për shkak se pas afatit përfundimtar të regjistrimeve një pjesë e mirë e studentëve të mjekësisë do të jepnin provimin e shtetit. "Afati i dorëzimit të dokumenteve ishte data 12 dhjetor, ndërkohë që kishte nga ata kandidatë të rinj të cilët nga 13 - 15 dhjetor do të hynin në provim shteti për të marrë liçencën. Këta mjekë më kërkuan që të dorëzonin dokumentet dhe nëse merrnin licencën e mjekut të vijonin me procedurat e specializimeve. Ne nuk i penguam këta mjekë, por me kushtin e vetëm që të kishin marrë liçencën. Dhe në fakt kështu ndodhi, ata që nuk arritën të marrin liçencën nuk u futen ne proces", pohoi Nikolla.
Deputetja e PD-së, Albina Deda i ka kërkuar ministres Nikolla në moment që të paraqesë këtë ndryshim në udhëzim të protokolluar ashtu sikurse edhe dokumentet e tjera që u ishin servirur deputetëve. "A mund të kemi një kopje të ndryshimit të udhëzimit sa i përket pjesës së licencimit të mjekëve ashtu sikurse kemi për gjuhen e huaj. Duam sot këtë udhëzim pasi nuk mund të mashtroni kështu" ka pohuar deputetja Deda. Por gjuha e përdorur prej saj duket se ka ndezur edhe më tej debatin, duke sjellë edhe politizim të diskutimit. Ministri Shëndetësisë ka pohuar se shpallja e fituesve dhe shpërndarja e kuotave  është bërë në bazë të kërkesave që kanë spitalet rajonale. "Ne si MSH kemi bërë përpjekjet për të plotësuar nevojat për mjekë në të gjithë Shqipërinë, për shkak të situatës së bartur prej vitesh. U fokusuam për të plotësuar nevojat e spitaleve rajonalë, dhe ato 185 kuota të cilat kishim mundësi ti përballonim financiarisht" nënvizoi Beqaj.

Pranimet
Ndërkohë një tjetër çështje e diskutuar në komision ishte edhe ajo e pranimeve në bazë të formulës meritë- preferencë. Ishte vetë ministrja Nikolla e cila deklaroi se degë si kardiokirurgjia, urgjenca, apo neurokirurgjia e patën fituesin e fundit me rreth 500 pikë. Kjo deklaratë ka bërë që deputetët,sidomos ata me profesion mjek të kundërshtojnë mënyrën e përzgjedhjes së specializantëve.
"Unë këtë nuk mund ta pranoj që në neurokirurgji të shkojnë ata me pikë më të ulëta me 300 apo 400, ndërsa kemi kandidatë me mbi 800 pikë që janë jashtë, e pse për preferencën që zgjodhën. Jam dakord që përderisa u pranua që në fillim rregullorja, nuk kemi pse ta përmendim sot çështjen e ngeljes jashtë të një dege specializimi. Por nëse shihen këto për vitin tjetër, ndihmojmë procesin e ardhshëm atë të shtatorit. Ndarja e fituesve duhet të jetë sipas meritës dhe të korrigjohen këto gabime teknike" theksoi deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Ndërkohë debate të tjera pati edhe për kandidatët  të cilët nuk patën master në shëndet publik të cilët nuk u pranuan në listën e atij specialiteti, por vetëm për dy specialitete.

Debati për udhëzimin
Albina Deda: A mund të kemi një kopje të ndryshimit të udhëzimit sa i përket pjesës së liçencimit të mjekëve ashtu sikurse kemi për gjuhen e huaj. Duam sot këtë udhëzim pasi nuk mund të mashtroni kështu.
Nikolla: Po e kemi atë udhëzim me datë edhe me orë dhe mund tua vëmë në dispozicion?
Beqaj: Po mashtrojmë... çfarë janë këto shpifje. Nëse vazhdoni kështu ne po e lemë seancën.
Vokshi: Zonja Deda po kërkon një kopje të udhëzimit dhe nuk po bën politizim.
Pendavini: Unë do ta politizoj se kështu është e vërteta. Si ka mundësi që ju 6 muaj bojkotuat këtë parlament dhe vini sot edhe i thoni tjetrit mashtrues e ku di unë se çfarë, nuk janë etike këto.
Vokshi: Po qetësohuni, qetësohuni nuk keni pse nxeheni kaq shumë. Nëse e keni udhëzimin dorëzojani zonjës deputete. Është në të drejtën e saj për të kërkuar dokumentacionin
Pendavini: Problemi është etika jo dokumentacioni.
Vokshi: E kemi udhëzimin. Ne jemi këtu për të trajtuar një tematikë e cila është trajtuar shumë ditët e fundit....
Nikolla: Znj Vokshi dhe znj. Deda sigurisht që unëi përkas një rrace tjetër dhe refuzoj që ti përgjigjem etiketimeve megjithëse punojmë fort që etiketime të tilla dhe sjellje të tilla të mos jenë pjesë e mjediseve ku edukohen shqiptarët dhe ku u shërbehet shqiptarëve. Jam e keqardhur që etiketimi i tillë vjen nga një zonjë nga një mjeke, por përgjigjet do ti marri në vijim siç kemi folur me vepra dhe standarde.

Kundërshtimet
Mesatarja, deputetët: Pati tolerime për studentët e ardhur nga jashtë
  Futja në konkursin e specializimeve i studentëve që kanë mbaruar jashtë vendit dhe me mesatare më të ulët se nota 7 ka qenë një tjetër pikë që ka sjellë debat mes deputetëve dhe drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Sipas deputetëve nota mesatare duhet të ishte e njëjtë për të gjithë studentët pasi pavarësisht se ata mund të kenë mbaruar studimet në vendet e BE-së, nuk dihet se ku është rankuar universiteti ku ata kanë studiuar. Por, Ministrja Nikolla ka sqaruar se ky "tolerim" u bë për të kthyer në Shqipëri studentët e larguar, si dhe nga ana tjetër edhe Fakulteti apo Universiteti jonë i Mjekësisë ende nuk është rankuar në listën e universiteteve në botë, pasi janë në proces akreditimi. "Sa i përket mesatares, është venë mesatarja 7 me një peshë të përcaktuar me 20 %. Një student i mirë e plotëson këtë me testimin dhe intervistën. Sa i përket studentëve që vijnë nga jashtë them se nuk është cënuar procesi, pasi universiteti jonë nuk është rankuar pasi është në proces akreditimi" ka pohuar Nikolla.

Përgatiti: Alma Demiraj
 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>