nën182014
Publikohet fondi i pyetjeve të Provimit të Specializimit në Mjekësi
Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, ka publikuar në faqen e tij zyrtare pyetjet për përgatitjen e studentëve në Provimin e Specializimit.
Bëhet fjalë për 5000 pyetje, të pajisura edhe me përgjigjet përkatëse, të cilat do u vijnë në ndihmë të gjithë konkurrentëve pasi siç është deklaruar edhe më herët provimi do të zhvillohet si test i përgjithshëm pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP).
Pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për t'i hapur rrugë specializimeve në mjekësi, institucionet përgjegjëse kanë nisur punën për përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm për të nisur procesin e regjistrimit të studentëve. Prof.Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë e pyetur se si po ecën procesi i përpilimit të rregullores përgjigjet: "Rregullorja e specializimeve është gati tashmë. Ajo është dërguar në të gjitha instancat e UMT për të marrë konfirmimin. Më pas kjo rregullore do i dërgohet drejtorive përkatëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit dhe Sportit për t'u miratuar. Besojmë se brenda javës që vjen do të kemi në dorë rregulloren e miratuar."
Ndërkohe pranë UMT u informuam se fondi i pyetjeve është përzgjedhur nga shefat e departamenteve përkatëse të UMT-së.
Paraprakisht, ju informojmë se pyetjet janë publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe i këshillojmë të gjithë konkurrentëve të përditësojnë faqen herë pas here për t'u njohur me ndryshimet e mundshme në pyetje.
Klikoni Këtu për të konsultuar fondin e pyetjeve.