gus122014
Përgjysmohet numri i studentëve të Fakultetit të Stomatologjisë në UMT
Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve deklaroi kuotat e pranimeve në universitetet shtetërore të Shqipërisë.
Në kuotat e propozuara janë marrë parasysh këto faktor; (i) kërkesat e vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse (ii) analiza e programeve me performancë të ulët nga viti akademik 2013-14. (iii) analiza e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2013-2014 si edhe (iv) gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në IAL në kuadër të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë (VKL).
Nga informacioni i marrë pranë Fakultetit të Mjekësisë pritet të kemi një numër të reduktuar studentësh për këtë degë këtë vit të ri akademik i cili starton në muajin tetor. Vitin që shkoi numri i të pranuarve pranë këtij fakulteti shkonte përafërsisht 360 studentë, ndërkohë që këtë vit, fakulteti ka propozuar të pranojë 300 studentë.
Edhe në fakultetet e tjerë të Universitetit Mjekësor numri është reduktuar, konkretisht është propozuar të pranohen 90 studentë në Fakultetin e Farmacisë dhe vetëm 60 në Stomatologji (nga 144 studentë që u pranuan vitin që shkoi).
Kujtojmë se dekani i Fakultetit të Mjekësisë Dentare,
Prof. Keraj disa muaj më parë kishte deklaruar se do të kërkohej një reduktim i numrit të studentëve në mënyrë që kapacitetet aktuale të fakultetit të mundësojnë formimin adekuat të studentëve që ka.
Ende nuk ka një përgjigje zyrtare mbi këto kuota pranë fakulteteve, ndonëse Ministria e Arsimit dhe Sporteve i ka miratuar tashmë ato. Ditët e para të shtatorit pritet të publikohen pranë fakulteteve përkatëse lista e plotë e kuotave. Mendohet se do ketë shumë pak ndryshim midis kuotave të propozuara nga Universiteti i Mjekësisë dhe atyre të miratuara nga Ministria.