kor292014
Shkarkohet nga detyra Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, merret vendimi i Ministrisë së Arsimit
Tiranë më datë 25 korrik 2014, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të shkarkoj Z. Bajram Hysa nga pozicioni si Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, me motivacionin: "Për shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore, të konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës lidhur me veprimtarinë ekonomike-financiare, proçedurave të prokurimit publik, rekrutimit dhe lirimit nga detyra të stafit akademik dhe administrativ, si dhe kryerjen e veprimeve në tejkalim të kompetencave ligjore nga dekani i këtij fakulteti".
Më datë 12 korrik Z. Bajram Hysa u pezullua nga pozicioni i tij si Dekan me vendim të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, firmosur nga vetë rektori Z. Ali Refatllari bazuar në shkeljet ligjore financiare në masën e mbi 55 milionë lekësh të evidentuara nga Njësia e Auditit të Brëndshëm.
Prof. Hysa këtë masë të marrë e paraqiti menjëherë në organet kompetente dhe më datë 21 korrik shkalla e parë e Gjykatës Administrative mori vendimin e pezullimit të këtij akti administrativ nga Rektorati i UMSH dhe rikthehu automatikisht Profesorin në detyrë deri në zgjidhjen e plotë të çështjes, por ai nuk ka mundur të futet në ambjentet e punës.
"Do ta ushtroj detyrën edhe në oborrin e fakultetit derisa drejtësia të vihet në vënd dhe Z. Refatllari të mbajë përgjegjësi ligjore për pengimin e vendimit të gjykatës"- u shpreh Z. Hysa.
Mesa duket MA duke u bazuar në propozimin e Rektoratit dhe nga provat e Raportit të Auditit të ngritur me urdhrin e vetë Ministrit arriti në këtë urdhër.