sht122014
Prof. Abazaj: Urdhri i Stomatologëve, jo i domosdoshëm
Intervistë me Presidentin e Urdhrit Të Mjekëve të Shqipërisë Prof. Din Abazaj.
Prof. Abazaj cili është mendimi juaj për krijimin e Urdhrit të Stomatologëve?
Unë mendoj se krijimi i Urdhërit të Stomatologëve dhe për rrjedhim shkëputja e mjekëve stomatologë nga Urdhri i Mjekut nuk është i domosdoshëm. Në rradhë të parë sepse numri i stomatologëve në Shqipëri ende nuk është aq i lartë sa të mos kordinojmë dot punën apo monitorojmë veprimtarinë e tyre. Përvoja e deri tanishme ka qenë në tërësi një përvojë e mirë dhe nuk ka përse të ndryshojë. Së dyti do të theksoja se duke u bërë kjo ndarje fondet të cilat shkonin për menaxhimin e punës në UMSH do të ndahen gjithashtu, pra po krijohet një strukturë e re e cila duhet financuar dhe do të rezultojë në një kosto shtesë e cila do të ndihet edhe tek vetë profesionistët e shëndetit. Në urdhrin e mjekut kishte nisur puna për krijimin e një departamenti të posatshëm për stomatologët dhe duke patur parasysh përvojën time të deri tanishme në këtë institucion mendoj se do ishte i mjaftueshëm për tu kujdesur për liçensimet, kuotat dhe për të monitoruar aktivitetin e mjekëve stomatologë. Ne kishim marrë përsipër të kryenim këtë aktivitet, ishim dhe jemi të vendosur të vazhdojmë ta bëjmë, prandaj e cilësoj si të panevojshëm krijimin e Urdhrit të Stomatologëve.
Ju keni deklaruar edhe më parë se ka shumë mungesa në spitalet rajonale, numri i specialistëve është shumë i ulë dhe se në disa specialitete nuk ka mjekë. Cili ka qenë propozimi Juaj në lidhje më këtë çështje?
Standarti i ushtrimit të profesionit ka për aktor kryesor mjekët dhe pacientët. Nuk mund të flasësh për standarte dhe shërbime të mbuluara nëse ka mungesa në bazën e këtij shërbimi. Unë kam deklaruar edhe më herët se çështja çalon tek menaxhimi i burimeve njerëzore. Ka spitale rajonale të cilët janë rikonstruktuar, kanë salla operacioni të standarteve të larta por nuk kanë se kush operon. Organet politikë-bërëse duhet të fokusohen tek këto nevoja pasi nga kontrollet e ndërmarra nga Këshillat Rajonalë, rezultojnë shumë probleme dhe pothuajse çdo spital rajonal ka mungesa në specialistë. Ne kemi përpiluar një listë me të dhënat e marra nga institucionet në të gjithë Shqipërnë dhe ua kemi dërguar organeve kompetente. Gjithashtu i duhet kushtuar më shumë vëmendje trajnimit të mjekëve. QKEV dhe institucione të tjera duhet të preokupohen nëse mjekët trajnohen apo jo, dhe që këto trajnime të jenë të vlefshëm dhe ti ndihmojnë që të rriten profesionalisht, jo vetëm për të marrë kreditet.
Në lidhje me praktikat profesionale pas përfundimit të fakulteteve, a mendoni se mjaftojnë tre muaj për të përgatitur një mjekë të ri që të ushtrojë profesionin?
Kjo është diçka që duhet të ndyshojë menjëherë. Tre muaj praktikë janë të pamjaftueshme. Për Tiranën është bërë një ndarje e re, se pranë cilit shërbim mjekët e sapo diplomuar duhet të zhvillojnë praktikat, por koha është e pamjaftueshme. Detyra jonë si Urdhër është të përgatisim mjekë të aftë për të përballuar çdo vështirësi që mund të hasin gjatë ushtrimit të profesionit, mendoj se duhet akoma punë për të mundësuar këtë. Është dërguar një kërkesë pranë UMT dhe pranë Ministrisë së Arsimit të cilët edhe na janë përgjigjur. Pritet ende një konfirmim nga Ministria e Shëndetësisë për të diskutuar më me detaje mbi praktikën profesionale.