sht192014
Transferimet: Edhe 3800 studentë për Universitetin Mjekësor të Tiranës
Në ditët e para të shtatorit Ministrja e Arsimit, Z. Lindita Nikolla deklaroi se të gjithë studentët e universiteteve të mbyllura do të transferohen në fakultetet shtetërore.
Janë rreth 3800 studentë në fushat mjekësore të universiteteve të mbyllura, të cikleve bachelor dhe master, të cilët pritet të regjistrohen në UMT ose në universitete e tjera private të cilat kanë kaluar testin e inspektimit.
Por a mund të vazhdojnë studimet e tyre 3800 studentë pranë UMT?
Referuar udhëzimit të MAS, universitetet pritëse, private apo publike, që e kaluan testin e inspektimit të kritereve të ligjshmërisë, kanë detyrimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm për vlerësimin dhe njohjen e krediteve. Shkresa përcakton se ky komision do të kryejë renditjen e studentëve aplikantë mbi bazë të notës mesatare të shkollës së mesme, studimeve universitare pararendëse dhe performancës së studentit në vitet paraardhëse.
Nga informacioni i marrë pranë rektoratit të Universitetit Mjekësor të Tiranës, janë gati procedurat që do të ndiqen për regjistrimin e këtyre studendëve. Ka nisur ngritja e një komisioni të posaçëm për vlerësimin dhe njohjen e krediteve dhe curriculave të universiteteve të mbyllura. Pritet që në javët që vijojnë, në sekretaritë e të gjithë fakulteteve të UMT të afishohen se cilat lëndë do të njihen nga secili universitet i mbyllur, së bashku me kreditet përkatëse që ato lëndë vlerësohen, por ende nuk ka një udhëzim që përcakton numrin e studentëve që do ti bashkohen këtij universiteti.
Duke u nisur nga udhëzimi i firmosur nga ministrja Nikolla, shpërndarja e këtyre studentëve do të behet mbi bazë të profileve ku kanë studiuar. Ata do të kenë të drejtë të paraqesin dokumentacionin vetëm në një fakultet (bëhet fjalë si për fakultetet private të akredituara dhe për ato shtetërore), të mund të shohin se cilat lëndë u njihen dhe se ku u intereson më shumë të bëjnë regjistrimin e tyre. Dokumentet që duhet të paraqesin në universitetin ku duan të transferojnë studimet janë këto: dosjen me dokumentacionin e tërhequr nga universiteti i mbyllur, fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, dokument identifikimi, dy fotografi, deklaratë se nuk është duke ndjekur një program paralel studimi, si edhe autorizim për përdorimin e të dhënave personale. Ndërkohë, për studentët e ciklit të dytë kërkohet të depozitojnë edhe fotokopje të noterizuar të diplomës, si dhe listë notash.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, si çdo vitë, ka përcaktuar edhe kuotat e transferimeve nga të gjitha fakultetet në rang kombëtar, dhe për UMT pritet të miratohen rreth 30 kuota për studentët e të gjithë universiteteve shtetëror dhe privatë në Shqipëri.