sht232014
Ministri Beqaj: Buxhet i veçantë për kimioterapinë dhe urgjencat mjekësore
Ministri i shëndetësisë Z. Ilir Beqaj ditën e djeshme është takuar me njësitë e urgjencave, punonjësit e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët e emergjencave civile që ndihmuan në mbarëvajtjen e Vizitës së Papa Françeskut.
Duke i falënderuar në emër të Qeverisë dhe institucionit drejtues të shëndetësisë në vend për kontributin e tyre të vyer në sigurimin e mbarëvajtjes së gjithë aktivitetit të ditës së dielë, Ministri Beqaj ndërmjet të tjerash në takim foli edhe për punën që po bën ministria për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për përballimin e aktiviteteve dhe sfidave të ngjashme me këtë vizitë, duke e vënë theksin tek përpjekjet e para në këtë drejtim, lidhur me krijimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, i cili është ende në ndërtim e sipër, dhe projektligjin që sapo ka kaluar në Qeveri dhe është depozituar në Parlament.
"Nga viti i ardhshëm, urgjenca mjekësore është një program më vete buxhetor, në buxhetin e shëndetësisë. Por, edhe për t'u bërë gati sa më mirë, siç është bërë publike në fakt javën e kaluar, qoftë me rialokimin e buxhetit, qoftë me aktin normativ të buxhetit shtesë, ne sot kemi fondet dhe tashmë kemi filluar nga puna për proçedurat e prokurimit për një helikopter të ri për sistemin tonë të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, për autoambulancat,të cilat do jenë 20 të tilla dhe për projekt/design-in e godinës ku do të jetë Qendra Kombëtare e Urgjencës, që është një nga angazhimet kryesore të programit të qeverisë në fushën e shëndetësisë. Ajo do të jetë operative, ne besojmë në mënyrë të plotë, në fillim të vitit 2016", u shpreh ministri Beqaj në fjalën e tij.
Gjithashtu në prioritetet e ministrisë për vitin e ardhshëm do të jetë krijimi i qendrave specifike për zhvillimin e seancave të kimioterapisë në pesë spitale të vendit, ku përveç spitalit onkologjikë në Tiranë ky shërbim do të mund të merret në Korçë, Shkodër, Fier dhe Durrës.