tet102014
Prof. Fejzi Keraj: Një impuls i ri në mjekësinë dentare fal Urdhrit të Stomatologëve
Në kaudër të unifikimit të Urdhrave të profesionistëve të shëndetit, pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Urdhrin e Stomatologëve, një institucion ky i cili do të koordinojë punën e mjekëve stomatologë dhe të ndihmës stomatologëve.
I pyetur për krijimin e tij Prof. Fejzi Keraj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë Dentare shprehet: "Urdhri do u vij në ndihmë mjekëve të rinj pasi ai do të jetë një institucion i cili jo vetëm do koordinojë praktikën e tyre profesionale por do të jetë edhe vendi ku këta mjekë do të depozitojnë kërkesat e tyre si dhe do u vij në ndihmë pacientëve të cilët do të marrin një shërbim më cilësor dhe të kontrolluar nga një institucion shtetëror. Krijimi i tij është një inisiativë kryesisht e MSh nga e cila edhe do të financohet në vitin e parë të tij, por ne si FMD dhe Shoqata e Stomatologëve të Shqipërisë jemi të gatshëm të ndihmojmë në mënyrën e organizimit dhe përzgjedhjen e stafit në mënyrë që të përfshihet personel i kualifikur, profesionistë shkencorë të cilët mund të japin një impuls të ri në stomatologji".
Në lidhje me ecurinë e mjekëve stomatologë, pavarësia e tyre profesionale deri më tani, ka qenë e cunguar. Dihet se sistemi dentar është kryesisht privat, për këtë është kërkuar që të akreditohen disa klinika dentare si klinika universitare në mënyrë që edhe procesi i praktikave profesionale të jetë i kontrolluar dhe i organizuar. Por nëse ke të drejta dhe pavarësi në ushtrimin e profesionit, sigurisht që ke edhe detyrime. Në këtë sens, Prof. Keraj na thotë: "Mendoj se nevojitet të monitorohet mënyra se si e zhvilojnë punën këta profesionistë. Në Shqipëri po funksionon e ashtuquajtura "Stomatologjia Komerciale", ku mjekët stomatologë konkurojnë midis tyre jo me cilësinë, siç do duhej të punonin normalisht por me çmimet që ofrojnë për shërbime të caktuara. Është e patolerueshme që të vazhdohet në këtë mënyrë dhe do ishte shumë mirë që të vendoset një çmim dysheme për çdo shërbim që mjeku kryen në mënyrë që të mund të vlerësohet puna e tij por edhe të mund të mbrohet pacienti që merr këtë shërbim".
I pyetur për situatën në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, Prof.Keraj na thotë: "Në muajin Maj, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit iu kërkua që të miratonte një numër më të ulët kuotash se vitin që shkoi pasi ajo që është venë re vitet e fundit është një dyndje e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në FMD dhe në institucionet e arsimit të lartë (IAL) private. Prandaj u vendos që të ishin vetëm 60 kuota për këtë vit, por me mbylljen e shumë IAL-ve , lindi një problem i ri, ai i transferimit të studentëve. Pritet që të jenë më shumë se 200 studentë që do ti shtohen fakultetit tonë nga transferimet, dhe për rrjedhojë i gjithë sistemi i mësimdhënies do të duhet të ristrukturohet. Procesi mësimor do të zhvillohet me turne, turni i parë do të funksionojë me studentët aktual dhe me ata që kanë rezultuar fitues nga matura shtetërore, ndërsa turni i dytë me studentët e transferuar. Është menduar një ndarje e tillë pasi është e pamundur që të përballohet një numër kaq i lartë studentësh në një proces të vetëm mësimor, si dhe cilësia e studentëve që do të vijnë nuk është në të njëjtët nivele me studentët tanë. Kjo vihet re edhe nga lëndët të cilat janë ekuivalentuar, ku një pjesë e madhe e lëndëve të cilat konsiderohen si formuese në edukimin dentar nuk janë kryer dhe për rrjedhojë nuk njihen prej fakultetit tonë. Në lidhje me procesin e mësimdhënies, fakulteti ynë është shprehur i gatshëm që leksionet, seminaret dhe vlerësimet e provimeve të mbahen nga pedagogët tanë të brendshëm, ndërsa për praktikat do të përfshihen edhe ata të jashtëm."
Tarifat e regjistrimit të studentëve të transferuar do të jetë më e lartë se e studentëve që na vijnë nga matura shtetërore. Kjo përbën një avantazh për fakultetin pasi këto të ardhura përbëjnë një premisë për krijimin e kushteve më të mira dhe për rritjen e mëtejshme të tij.