News

tet72014

Dorjan Hysi: Edukimi Dentar në Shqipëri dhe në vendet e Bashkimit Europian

Edukimi dentar është pjesë integrale e edukimit shëndetësor në tërësi. Ai paraqet një rëndësi kyçe pasi ndikon direkt në cilësinë e shërbimit dentar që i ofrohet komunitetit. Shqipëria është një vend që vazhdimisht po punon për të përmirësuar legjislacionin me qëllim reformimin edukimit dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian(BE). Edukimi dentar vitet e fundit po perjeton një liberalizim rezultatet e te cilit duket se do të ndikojnë ndjeshëm në shërbimin dentar në Shqipëri. Kjo po shoqërohet me një rritje jo të barabartë të numrit të stomatologëve të diplomuar krahasuar me nevojat për këtë shërbim duke sjell një inflacion të këtij profesioni. Mungesa e një filtri për përzgjedhjen dhe numrin e pranimeve të studentëve të shkencave mjeksore ecën paralelisht me mungesën e infrastrukturës së nevojshme dhe stafit të kualifikuar akademik. Por a është "sasia" e stomatologëve që duhet të na shqetësoj? Mendojmë se kjo është e keqja më e vogël. Problemi më i madh mbetet cilësia dhe aftësimi teorik dhe praktik i stomatologëve të sapo diplomuar. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit që i ofrohet populatës. Aktualisht mekanizmat e kontrollit të cilësisë janë të pakët dhe të pamjaftueshëm për të përballuar presionin dhe kërkesën absurde të "armatës" së re të stomatologëve.
 Nëse do të lexojmë me një sy kritik informacionin që na vjen nga vendet e BE nxjerrim disa konkluzione të cilat nuk duhet të gjykohen si opinione personale por janë të mbeshtetura në fakte.
Së pari është një emergjencë parashikimi i sakt i nevojave për mjekë të rinj stomatologë ose planifikimi i fuqisë puntore në stomatologji. Studimi i tregut dhe nevojat duhet të kryhen nga ekspertë të pa ndikuar nga interesat klienteliste, financiare, personale apo politike. Propozimet duhet të jenë të krahasueshme dhe në përputhje me kërkesat e vendeve te BE ku dhe kërkojmë të integrohemi. Kështu do të kishim një kufizim të pranimeve në Universitetet dhe Fakultetet publike dhe private.
Së dyti duhet të ketë kritere të qarta, të sakta dhe të barabarta pranimi që duhet të aplikohen në arsimin publik dhe privat. Në shkencat mjeksore është i detyrueshëm pranimi pas një testimi specifik paraprak ku duhet të merret në konsiderat edhe mesatarja e shkollës së mesme. Pranimi në universitetin publik ose privat duhet të jetë me një numër të përcaktuar pikësh dhe studenti të ketë të drejtën e zgjedhjes midis arsimit publik apo privat.
Së treti nevojitet përafrimi i kurrikulave mësimore me kërkesat e Direktivës së BE dhe modeleve të vendeve të Zhvilluara. Në dokumentin "Profili dhe kompetencat e dentistit në bashkimin europian" theksohet se nuk egziston një model perfekt kurrikular. Kurrikula duhet të përshtatet duke respektuar nivelin ekonomik, historinë, kulturën dhe nevojat për shërbim bazuar në nivelin e sëmundshmerisë të secilit vend.
Së katërti nevojitet përmirësimi i infrastrukturës dhe stimulimi i kërkimit shkencor dhe dentistrisë bazuar në evidence (evidence based dentistry).
 Së pesti duhet ndryshuar modeli i të mësuarit dhe kontrollit të dijeve duke kaluar nga modeli klasik "shpjego, pyet, riprodho" në modelin "problem based" ose diskutim i problemeve dhe të mësuarit kritik.
Së fundi rekomandimet e ekspertëve theksojnë se rëndësin kryesore e ka edukimi dentar bazë (5 vjeçar) dhe specializimi pasuniversitar nuk duhet të bëhet në "kurriz" të këtij të fundit. Gjithashtu edukimi professional i vazhduar duhet të jetë pjesë e pa ndarë e profesionistit në shëndetësi.

Lexoni artikullin e plotë të publikuar në  "Revista Stomatologjike Shqiptare" 2012 duke klikuar këtu


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>