dhj22014
Klinikat dhe kabinetet dentare në sitën e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror
Nga 145 të kontrolluara 109 rezultojnë me shkelje të ligjit
Gjergj Koja : Gjoba deri në 200 mijë lekë për shkelësit e ligjit
Për hëre të parë ka nisur një kontroll ndaj klinikave stomatologjike dhe kabineteve dentarë, shërbim i cili ofrohet privatisht, por deri më tani gjithçka ishte lënë në ndërgjegjen e stomatologëve edhe pse lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve. Inspektoriati Shtetëror Sanitar përveç kushteve higjeno-sanitare për të cilat deri diku vlerësojnë se janë të pranueshme, ka konstatuar klinika dentare të cilat nuk dihet se ku hedhin mbetjet spitalore, pasi nuk kishin kontrata me subjekte të caktuara për përpunimin e tyre. Kreu i Inspektoriatit Sanitar për Tiranën theksoi se tanimë do të ketë standarte edhe për këtë shërbim. "Nga 145 klinika dhe kabinete dentare që kemi kontrolluar 109 e prej tyre nuk dihet se ku i hedhin mbeturinat spitalore që prodhojnë. Dhe kjo është e patolerueshme"- shprehet Koja. Inspektoriati sanitar shtetëror është ngritur këtë vit dhe paralelisht kontrollon parametrat e higjenës, rrezatimit dhe gjithcka lidhet me shëndetin e pacientit. Vetëm në vendin tonë ndodh që klinikat dentare nuk kanë kartelë të pacientit të cilit i ofrojnë shërbim. Nga ana tjetër zotëruesit e klinikave dentare nuk interesohen për nivelin e rrezatimit që shkaktojnë pajisjetet që ata përdorin për të bërë një grafi të dhëmbit të pacientit.
"Janë 43 klinika stomatologjike që kanë pajisje për të bërë radiografi të cilat nuk janë pajisur me vërtetim teknik nga zyra për mbrojtjen nga rrezatimet në Institutin e Shëndetit Publik ",- thekson kreu i Inspektoriatit Sanitar Shtetëror për Tiranën.
Të tjera shkleje lidhen me mungesën e librezave shëndetësore të punonjësve dhe mungesë të akt miratimit higjeno-sanitar .Kontrolli i inspektoriatit sanitar sapo ka nisur kontrollet dhe do të kalojë në sitë të gjithë klinikat stomatologjike dhe kabinetet dentare. Ato që kanë rezultuar me shkelje u është lënë afat 15 ditë për të përmbushur detyrimet e përcaktuara. Sipas Kojës pas këtij afati do të ketë penalizime me gjobë që variojnë deri në 200 mijë lekë.
Përgatiti: Alma Demiraj