jan202015
Tregu Stomatologjik, roli i rëndësishëm i Urdhrit të Stomatologëve
Problemet e shumta që stomatologjia sot ka, janë probleme të akumuluara ndër vite. Kuadri ligjor i mangët, mungesa e kontrolleve në klinikat dentare, aktet nënligjore të ligjit të barnave dhe për AKBPM të cilat janë ende duke u përpunuar, i japin mundësi ushtruesve të këtij profesioni të abuzojnë. Fundvitin që shkoi,
Doktor33 ka marr prononcimin e
Enton Mele, kryetar i shoqatës së importuesëve të materialeve dentare, i cili shprehu shqetësimin e tij në lidhje me cilësinë e materialeve dentare që futen në tregun shqiptar dhe mungesën e kontrollit të kësaj cilësie nga instancat shtetërore. "Rreth 85% e klinikave stomatologjike në vend përdorin materiale të lira dhe toksike për gojën e pacientëve. Kush e ka fajin për këtë situatë?", pohonte ai gjatë intervistës.
Një institucion i cili është përgjegjës për aktivitetin e punës së mjekut dhe stomatologut, janë Urdhrat përkatës, por siç e dimë Urdhri i Stomatologëve ende nuk ka nisur funksionimin e tij. I pyetur se si e mendon ai tregun stomatologjik, Dr.
Dorjan Hysi, kryetar i shoqatës së stomatologëve thekson se është e nevojshme ushtrimi i një kontrolli mbi mënyrën se si veprojnë stomatologët në vend. "Aktualisht mund të pohoj se askush nuk i kontrollon siç duhet klinikat dentare dhe laboratorët dentar. Sigurisht duhet kohë për të ngritur instancat e duhura për një kontroll të mirfilltë. Me krijimin e Urdhrit të Stomatologëve, do të shtohet një institucion specifik që jo vetëm do koordinoj punën e profesionistëve por edhe do të ndihmoj në parandalimin e problematikave shëndetësore në fushën e stomatologjisë, duke i monitoruar këta profesionistë."
Shqetësimet e konstatuara nga profesionistët e shëndetësisë, i janë parashtruar ministrisë së Shëndetësisë. "Ne kemi nisur një bashkëpunim të mirë me ministrinë, e cila është shprehur e gatshme të na përkrahë në shqetësimet tona, dhe këtë muaj do të mbahet një takim ku do të bisedohet mbi ecurinë e mëtejshme të Urdhrin e Stomatologut".
Në ditët në vijim, në
Doktor33 do të keni një informacion të detajuar mbi bisedimet në fjalë.