jan82015
Vitamina D mbron të moshuarit nga problemet me gjumin
Sasia e mjaftueshme e vitaminës D duket se i bën të moshuarit të flenë më mirë. Një gjë e tillë rezulton nga një studim mbi lidhjen mes mungesës së vitaminës D dhe problemeve të gjumit.
Sipas këtij studimi të kryer mbi 1700 të moshuar në Universitetin Yonsei të Seulit, mungesa e vitaminës D dhe mungesa e gjumit shkojnë paralel duke krijuar një rreth vicioz ose e thënë ndryshe, njëra vendos për tjetrën dhe krijon kështu probleme të shëndetit të të moshuarve. Studimi u publikua në "
Journal of the American Geriatrics Society"."Në kampionin tonë, - shpjegon
Uan Kang, drejtuesi i studimit, - të paktën gjysma e të moshuarve kishte përqendrim të ulët të vitaminës D në gjak". Ekspertët kanë parë se kush kishte mungesë të vitaminës D, kishte më shumë mundësi të prekej nga problemet e gjumit apo të flinte më pak.
"Në përgjithësi të moshuarit tentojnë të flenë më pak, por kur sasia dhe cilësia e gjumit është e ulët, atëherë kemi të bëjmë gjithnjë me një sëmundje. Nuk është rastësi që kur shkohet te mjeku, një nga pyetjet e para është "si fle?"
Është e vështirë të thuhet se cili është shkaku dhe cila pasoja apo nëse është mungesa e vitaminës D që shkakton mungesën e gjumit dhe anasjelltas, - shpjegon Uan Kang, - por mungesa e vitaminës D mund të pengojë një gjumë cilësor dhe gjumi i paktë mund të bëjë që i moshuari të dalë më pak nga shtëpia. Por meqë dalja në diell është ajo që ndihmon trupin për të prodhuar vitaminën D, mund të krijohet një rreth vicioz. Për më tepër, hormonet e prodhuara nga trupi gjatë natës, kur flemë, janë të rëndësishme për pigmentin e lëkurës e si pasojë edhe prodhimin e vitaminës D.