shk172015
Dalin pyetjet e testimit për 13 mijë infermierë në vend
Ndonëse u kontestua fort testimi që Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi pak kohë më parë, tanimë ai po konkretizohet. Ndërkohë që lidhur me këtë testim është ndezur një debat i fortë mediatik dhe pse mjekë e infermierë kanë intensifikuar protestat e tyre, Ministria e Shëndetësisë është duke u bërë gati për zhvillimin e këtij testimi. Si fillim do t'i nënshtrohen testimit infermierët që punojnë në qendrën më të madhe universitare "Nënë Tereza", më pas ata të spitaleve të tjera dhe qendrave shëndetësore. Data e zhvillimit të tij është përcaktuar 28 shkurti dhe tanimë Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati pyetjet. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë janë publikuar 107 pyetje, të cilave do të duhet t'i përgjigjen infermierët. Ato janë konceptuar në formën e testit me zgjedhje. Pyetjet janë formuluar në mënyrë të atillë për të vlerësuar jo vetëm njohuritë profesionale të infermierëve, por edhe ato që lidhen me etikën dhe komunikimin e infermierëve me pacientin dhe të afërmit e tij. Ndonëse zhvillimi i testimit të infermierëve ka shkaktuar frikë në radhët e tyre se mos, pas tij do të pasojnë penalizimet dhe ndokush mund të skualifikohet, ministri i Shëndetësisë ka garantuar me deklaratat e tij se ky testim nuk ka qëllim penalizimin. "Askush nuk do të sakrifikojë vendin e punës nga ky testim. Ne duam të bëjmë një fotografim të personelit shëndetësor me qëllim që të dimë të orientojmë edukimin në vazhdim aty ku do të ketë mangësi. "Është shprehur disa herë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Por, ende nuk janë bërë me dije se si do të zhvillohet ky testim, kush do t'i kontrollojë e të tjera detaje.
Në Download Center do të gjeni të gjitha pyetjet e testimit, klikoni këtu për t'i parë.
Përgatiti: Alma Demiraj