kor32015
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Jep dorëheqjen nëndrejtori Sokol Skuraj
Emri i tij u lakua shumë kohët e fundit në lidhje me skandalin e vjedhjes nëpërmjet rimbursimit të barnave që bëhej në bazë të recetave fiktive. Në raportin ku u konstatua kjo skemë vjedhjeje, përmendej edhe emri i nëndrejtorit të FSDSKSH-së. Ai dyshohet se ka favorizuar farmacitë të cilat rezultojnë në pronësi të njerëzve të tij të afërt, pasi të dyja farmacitë kanë kontratë me FSDKSH-në.
Por, ndonëse emri i tij përmendej në raport, Prokuroria nuk e ka thirrur deri më tani Sokol Skurajn për të dëshmuar. Ndërkohë, ish-drejtori i FSDSKSH-së, Astrit Beci dha dorëheqjen e parevokueshme pak kohë më parë me argumentin për të lënë të veprojnë organet kompetente. Ndërsa Sokol Skuraj ka vijuar punën si nëndrejtor i Fondit deri pak kohë pas zgjedhjeve lokale. Menjëherë pas komandimit të zv/ministres Milva Ikonomi në krye të FSDKSH-së, u kërkua nga ILDKPKI të verifikohej nëse ish-nëndrejtori i Fondit kishte konflikt interesi. Drejtorja e komanduar, Milva Ikonomi, e kontaktuar nga Doktor33.al, pohon që Skuraj ka dhënë dorëheqjen, por ajo thotë se ende nuk ka një vendim nëse do të pranohet ose jo kjo dorëheqje. Sipas Ikonomit nga një përgjigje e mbërritur nga ILDKP, rezulton që Skuraj të ketë konflikt interesi me njërën nga farmacitë. Por, ndërkohë është kërkuar informacion më i detajuar nga ILDKP.
Përgatiti: Alma Demiraj