kor52024
FSDKSH. KA miraton listën e barnave të rimbursueshme 2024
Pas afro 3 vitesh e gjysmë, më në fund, Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ka miratuar listën re të barnave të rimbursueshme. Kësaj liste i janë shtuar 40 principe të reja aktive, pra barna të reja, si dhe mbi 300 barna alternative.
Pjesën më të madhe të kësaj liste e zënë ato për sëmundjet tumorale, të cilat janë edhe shumë të kushtueshme për xhepin e qytetarëve. Si asnjëherë më parë, për barnat me rimbursim për mbi 3 vite ka funksionuar lista e vitit 2021. Kjo do të thotë se qytetarët të cilët marrin barna me rimbursim në farmaci, kryesisht të sëmurët kronikë, nuk kanë pasur barna, apo zgjerim të numrit të përfituesve, siç në fakt ka ndodhur ndër vite që lista e re zgjerohet, si në barna, ashtu edhe në përfitues.
Vonesa në miratimin e listës së re të barnave të rimbursueshme ka sjellë një sërë problemesh në tregun farmaceutik. Në tregun e sotëm mungojnë shumë barna të cilat janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, pasi distributorët shpesh nuk ndërmarrin rreziqe, duke krijuar stok. Ata kanë detyrimin, që barnat e rimbursueshme, sidomos alternativën e parë, për të cilën qytetarët nuk paguajnë para, duhet ta kenë në depo minimumi tre muaj më parë. Të paktën, kështu e kanë të përcaktuar në kontratën me FSDKSH, por këtë herë nuk kishin informacion se kur mund të dilte lista e re.
Nga kjo vonesë ka vetëm një përfitim pasi kursi i këmbimit të euros në lekë ka rënë ndjeshëm dhe me buxhetin e përcaktuar mund të blihet një sasi më madhe barnash. Tashmë që lista është miratuar në këshillin administrativ, pritet të miratohet edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nëse do të jetë në rendin e ditës së mbledhjes më të afërt. Por me gjasë, lista e re barnave do të hyjë në fuqi në muajin shtator.
Alma Demiraj