gus252015
Mjekët dhe infermierët do të zhvillojnë dy testime në vjeshtë
Të gjithë bluzat e bardha do të bëjnë dy testime tani në vjeshtë, përkatësisht në muajin tetor dhe muajin nëntor. Një testim do të bëhet nga urdhrat përkatës ku ata janë anëtarë dhe më pas vijon provimi i shtetit.
I pyetur ne lidhje me këtë testim, Urdhri i Infermierit shpjegon se në fillim të shtatorit infermierët duhet të vijojnë me dorëzimin e dosjeve.
Duke nisur nga data 10 shtator deri në 25 shtator infermierët duhet të dorëzojnë librezën e praktikës fotokopje të diplomës dhe të kartës së identitetit, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në provim. Por më parë se të bëjnë provimin e shtetit, infermierët në tetor do të testohen nga Urdhri i Infermierit. Sipas UISH provimin e aftësisë do ta japin jo vetëm infermierët por edhe mamitë, fizioterapistët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit dhe logopedistët. UISH thekson se për të marrë pjesë në provimin e shtetit, infermierët duhet që më parë të kalojnë me sukses testimin që do t'u bëhet në muajin tetor nga urdhri i tyre.
Në datën 25 shtator deri në 5 tetor do të bëhet konfirmimi i pjesëmarrjes në provimin e shtetit. Për të marrë pjesë në këtë provim duhen dorëzuar dokumentet e lartpërmendura plus fotokopje e diplomës dhe e listës se notave.
Nisur nga përvojat e mëparshme ku ka pasur një numër të madh të bluzave të bardha që nuk e kalonin provimin e shtetit, këtë vit është menduar që më parë të bëhet një testim nga urdhrat përkatës
Përgatiti: Alma Demiraj