News

sht252015

Mjekët relacion Ministrisë së Shëndetësisë për masa konkrete në mbrojtje të tyre

tags: UMSH, UMT

Incidenti i dhunimit të mjekes Silvana Çeliku, disa ditë më parë në ambientet e onkologjisë Tiranë, u dënua njëzëri nga Urdhri i Mjekëve, Universiteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Por mjekëve të onkologjikut nuk u mjaftojnë vetëm deklarata për shtyp e këtyre instancave dhe kanë vendosur t'i dërgojnë një recension ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ku i kërkojnë siguri për jetën në vendin e punës dhe stopim të përdhosjes së figurës së mjekut. Po ashtu, ata depozituan pranë drejtorisë së QSUT-së edhe kërkesën për të protestuar, por nuk morën aprovim me pretendimin se kërkesa e tyre nuk ishte e ligjshme. Mjekët shprehën indinjatën e tyre për mosdhënien e lejes për protestë, në kushtet kur cenohen të drejtat dhe dinjiteti i tyre.

Nga ana tjetër, ata ndërprenë operacionet jo urgjente të paktën një ditë pas ngjarjes ku mbeti e lënduar dr. Çeliku. Por për Ministrinë e Shëndetësisë duket se zgjidhja më e mirë për shmangien e dhunës ndaj mjekëve është denoncimi nga pacientët e rasteve të korrupsionit apo mosmarrjes së shërbimeve, në dy adresa elektronike që MSH ka vënë në dispozicion të publikut: "Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT është e vendosur të inkurajojë organet kompetente që të vendosin drejtësi, si dhe u bën thirrje qytetarëve të respektojnë figurën e personelit shëndetësor në detyrë dhe të denoncojnë çdo rast abuziv... prandaj Ministria e Shëndetësisë gjen rastin për të përsëritur thirrjen e saj drejtuar të gjithë qytetarëve që hasin vështirësi në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor, apo përballen me kërkesa për pagesa nën dorë, të denoncojnë menjëherë rastin pranë Ministrisë së Shëndetësisë në adresën e postës elektronike". 

Edhe Universiteti i Mjekësisë Tiranë i është bashkuar me një deklaratë për shtyp shqetësimit të personelit të Onkologjisë: "Fakulteti i Mjekësisë dënon fuqimisht dhunën ndaj një prej personaliteteve të spikatura të mjekësisë, Silvana Çeliku, pjesë e stafit akademik të shkollës shqiptare të formimit të studentëve e mjekëve të rinj... Fakulteti i Mjekësisë, Tiranë i bën apel mediave, analistëve dhe politikanëve që në debatet e natyrshme për problematikat dhe reformimin e sistemit shëndetësor, të shmangin përballjen dhe denigrimin e figurës së mjekëve. Pa rikthimin e besimit midis publikut dhe bluzave të bardha nuk mund të ketë asnjë përmirësim të ndjeshëm dhe reformë të suksesshme të sistemit shëndetësor".

Dr. Silvana Çeliku mbeti e lënduar paraditen e së hënës pas dhunës së ushtruar nga një paciente e cila e akuzoi për neglizhencë dhe marrje ryshfeti. Akuzat u hodhën poshtë nga mjekja e cila depozitoi edhe një kallëzim penal pranë forcave të rendit.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>