News

jan132015

Mjekët, urdhri i mjekut dhe ish drejtues të Shëndetësisë shprehen kundër testimit

Pas deklaratës së  ministrisë se Shëndetësisë se mjekët dhe infermierët do ti nënshtrohen një testimi për të vlerësuar njohuritë e tyre bazë ka pasur reagime të  shumta  nga personeli mjekesor , pasi  druajnë se nëse nuk e kalojnë këtë testim mund të humbin vendin e punës.
Ish ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili e konsideron pa rezultat  një nismë të tillë. "Më duket një nismë e tejkaluar pasi sistemi ka edukimin e vazhdueshëm. Është një praktikë që nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës. Ky testim na kthen në kohë të shkuar pasi janë bërë testime edhe para viteve 90 por pa rezultat. Kjo do ta vendoste mjekun në një qetësi parazite pasi do të mjaftohej me të dhënurit e një provimi dhe kaq. Ndërkohë që shkenca e mjekësisë ecën dhe evolon shumë shpejt dhe cdo mjek duhet të përditësojë njohuritë. Për këtë QKEV  është duke bërë llogaritë e krediteve që ata grumbullojnë nëpër konferenca shkencore.
Ndërsa ish ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu e konsideron të jashteligjshme dhe abuzive këtë nismë.
 "Një process i tillë "testimi është denigrues dhe i jashtëligjshëm, pasi kjo inisiativë nuk është e bazuar në ligj, në praktikën tonë apo atë ndërkombëtare. "Testimet" e tilla tingëllojnë abuzive, jo profesionale dhe bien ndesh me të drejtat e profesionistëve dhe të njeriut. Janë diskriminuese se tentojnë të largojnë qindra specialistë nga puna për t'i zëvëndësuar me të tjerë. Personeli ynë shëndetësor provohet në procesin e diplomimit, në provimin e shtetit, nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm, apo konkurseve", u shpreh  Tritan Shehu mbi nismën e qeverisë. .
Ndërkohë Din Abazaj, president i UMSH, shprehet se është e tepërt dhe deri diku cënuese për figurën e mjekut një nismë e tillë. "Është legjitime që mjekët të kërkojnë sqarime se përse do të testohen. Unë mendoj se mjekët janë profesionistët më të testuar nga të gjithë profesionet e rregulluara, ata kanë marrë një liçencë e cila teston njohuritë e tyre, edhe mbi etikën dhe komunikimin profesional. Gjithashtu drejtuesit e qendrave shëndetësore kanë mënyrat  tyre për të matur nivelin e njohurive të mjekëve të tyre, siç është vlerësimi i performancës. Prandaj unë mendoj se testimi nuk është mënyra më adeguate për të vlerësuar këta mjekë", thotë Abazaj.
 Gjithashtu Abazaj u ndal në faktin se për nisjen e këtij procesi testimi nuk është biseduar me grupet e interesit për të evidentuar saktësisht cilat janë shqetësimet e tyre dhe se si mund t'u vihet në ndihmë.

Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>