dhj152015
Prokuroria mbyll hetimet për skandalin me rimbursimet. Priten dënimet e të akuzuarve
Gjykata pritet të japë vendimet e dënimit për 9 të implikuarit në skemën e mashtrimit nëpërmjet rimbursimit te barnave. Sipas hetimeve të Prokurorisë më të implikuar në këtë skandal janë ish-drejtori i Fondit të Tiranës, z.Pjerin Xhuvani dhe shtetasi Hysni Roçi, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ndërtuar këtë skemë vjedhjeje. Roçi kishte hapur disa farmaci të cilat i kishte në pronësi. Duke përfituar nga kjo, Roçi u merrte licencat drejtuesve teknikë të katër farmacive me qëllim kryerjen e çdo veprimi me Fondin Rajonal të Tiranës për të lehtësuar procedurat e rimbursimit. Nga ana tjetër ish-drejtori i Fondit, z.Xhuvani ka urdhëruar punonjës të Fondit për të kryer akte kontrolli fiktive duke i hapur rrugë rimbursimit fiktiv të barnave që nuk ishin tregtuar nga farmacitë në pronësi të z. Roçi, çka ka bërë që nëpërmjet rimbursimit të përfitonin një fond prej 56 milionë lekësh të reja.
Në dosjen e dorëzuar nga prokuroria në gjykatë përfshihen 4 drejtues teknikë të farmacive "Lundër", "Nutrimed" ,"Adelina "dhe "Bërzhitë".
Po kështu janë edhe tre punonjës të Fondit Rajonal të Tiranës, të cilët kanë firmosur të urdhëruar nga ish-eprori i tyre.
Aktualisht në burg është një ndër themeluesit e kësaj skeme mashtrimi, pronari i katër farmacive z.Roçi, ndërsa ish-drejtori Xhuvani është në arrest shtëpie. Të dy këta persona deri më tani janë në masë sigurie, dënimi i të cilëve pritet të jepet nga gjykata në ditët ne vijim.
Emrat e të akuzuarve:
Hysni Roci - pronar i katër farmacive,
Pjerin Xhuvani - ish Dr. i Fondit Tiranë,
Edlira Mara - zyrtare e Fondit,
Frida Lamce - zyrtare e Fondit,
Fatbardh Budo - zyrtare e Fondit,
Mimoza Tufi - drejtuese teknike farmaci "Lundër",
Nikollaq Thanasi - drejtues teknik farmaci " Nutrimed",
Adelina Manaj - drejtuese teknike farmaci "Adelina",
Arens Spahiu - drejtues teknik farmaci "Bërzhitë",
Përgatiti: Alma Demiraj