jan262016
Viruset gripale shënojnë pikun në vend
Fundi i janarit klasifikohet nga ekspertët e shëndetit publik si periudha më problematike në vend për shkak se qarkullimi i viruseve gripale dhe infeksioneve respiratore arrin pikun. Sipas të dhënave të Instituti të Shëndetit Publik, janë mesatarisht 11.000 persona të prekur në javë nga viruset sezonale, ndërkohë që po analizohen kampionet e tjera të ardhura nga institucionet shëndetësore në të gjithë vendin. Frekuenca me të cilën shfaqen rastet me grip edhe pse ndryshon në varësi të stinëve kap mesatarisht 8% të popullsisë së përgjithshme çdo vit, ndërsa në grupmoshën 0-14 vjeç e cila preket më lehtë, incidenca mesatare është rreth 22%.
Në Shqipëri gripi manifestohet mes dhjetorit dhe marsit dhe zgjidhet në harkun e pesë - shtatë ditëve, edhe pse kolla dhe dobësia e përgjithshme mund të vazhdojnë për dy ose më shumë javë. Vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin. Ekspertët rekomandojnë vaksinimin e personave me moshë më të madhe se 64 vjeç dhe te ata që janë në kontakt të ngushtë me të moshuarit, si dhe te të gjitha peronat në risk për komplikacione sekondare për shkak të moshës dhe patologjive. Periudha më e indikuar për vaksinim është nga mesi i tetorit deri në fund të dhjetorit.
Në bazë të epidemiologjisë të gjitha viruset gripale kanë tendencën për të ndryshuar gjë që i lejon atyre të shmangin pengesën e imunitetit te ata individë që në të kaluarën kanë kaluar infeksione gripale. Për këtë arsye kompozita e vaksinës duhet rinovuar çdo vit ndërsa duhen pasur parasysh shtamet që kanë pasur përhapjen më të madhe gjatë periudhës së fundit epidemike në mënyrë që të përgatitet vaksina për stinën pasardhëse.
Barnat më të përdorura janë ato të tipit simptomatik si antipiretikët për temperaturën, cefalean dhe dhimbjet osteo-muskulore. Ndërsa barna me veprim anti-viral të cilat veprojnë vetëm mbi infeksionin gripal të shkaktuar nga viruset e tipit A, janë amantadina dhe rimantadina. Megjithatë duhen përdorur vetëm kur ka risk për komplikacione të rënda sepse mund të kenë efekte anësore neurologjike dhe të favorizojnë zhvillimin e shtameve virale mutante rezistente.
Një bar tjetër është zanamivir, në gjendje për të reduktuar kohëzgjatjen e sëmundjes duke ngadalësuar përhapjen e virusit dhe që në ndryshim nga dy të parat nuk duket se nxit formimin e shtameve rezistente. Bari është aktiv kundër viruseve gripale A dhe B, por merret brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave. Ai nuk mund të administrohet te fëmijët nën moshën 12 vjeç, te gratë shtatzëna, apo gjatë ushqyerjes me gji sepse nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për sigurinë e tij./
D.GJ.