shk152016
FSDKSH: Ja kategoritë me numrin më të madh të kartave të shëndetit
Që nga nisja e procesit të shpërndarjes një vit më parë e deri më sot, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka pajisur 941.954 qytetarë me kartë shëndeti. Në komunikatën për media, FSDKSH njofton se duke marrë shkas nga shtimi i fluksit të qytetarëve për të marrë kartën e shëndetit, ku vetëm mes periudhës 05 janar -11 shkurt 2016 janë lëshuar rreth 249.528 të tilla në të gjithë vendin, janë hapur sportele të reja për të eliminuar radhët e gjata të pritjes. Po ashtu është shtyrë edhe afati i vlefshmërisë së librezës shëndetësore deri më 30 prill 2016.
"Kategoritë që deri më tani kanë numrin më të madh të kartave aktive të shëndetit janë fëmijët nga 0 - 12 muaj me 15.666 karta, fëmijët nga 1-18 vjeç me 108,550 karta, të papunë/punëkërkues me 59.928 karta, të punësuarit me 105.883 karta, studentët me 24.109 karta dhe pensionistët me 250.495", shkruhet në njoftimin e Fondit.
Sipas tij kjo kartë sjell lehtësi si për mjekët edhe për farmacistët duke eliminuar burokracitë dhe duke u kursyer rreth 8 orë punë në muaj: - mjekëve sepse duhej të shkruanin nga tre herë mjekimin për pacient në fletën e librezës, në recetë dhe në kartelën mjekësore, ndërsa farmacistëve sepse shpenzonin më shumë kohë me plotësimin e recetës së rimbursimit dhe librezën shëndetësore.
Karta e shëndetit vlen për të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në sektorin publik por edhe për shërbimet që FSDKSH ofron në sektorin privat. Tashmë vizitat te mjeku i familjes dhe ai specialist, diagnostikimet në spitale dhe marrja e barnave të rimbursueshme në farmaci bëhen nëpërmjet saj.